Ballina Politika Tabaku i përgjigjet Ramës: Një imazh sqarohet me reagim, ligji korrigjohet me...

Tabaku i përgjigjet Ramës: Një imazh sqarohet me reagim, ligji korrigjohet me votë në Kuvend

68
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas përplasjes së krijuar nga publikimi i një imazhi të rremë që i atribuohej Kryeministrit Edi Rama.

Pasi Agjencia për Media dhe Informim mohoi autenticitetin e imazhit, Tabaku e zhvendosi vëmendjen te çështja thelbësore: kërkesa zyrtare e Parlamentit Europian për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

“Një imazh që qarkulloi në rrjet mobilizoi menjëherë Agjencinë e Medias dhe Kryeministrin. Ndërsa një imazh sqarohet me një reagim, një ligj që bie ndesh me standardet europiane korrigjohet me votë në Kuvend, duke zhbërë amendimet”, shkruan Tabaku.

Deputetja demokrate thekson se kërkesa e Parlamentit Europian është zyrtare dhe nuk mund të cilësohet si dezinformim apo të mbulohet nga debati mbi imazhin e falsifikuar

“Kërkesa e Parlamentit Europian për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura është zyrtare dhe e qartë. Nuk është as dezinformim, as pavërtetësi dhe nuk mund të fshihet pas zhurmës së rrjeteve sociale”, shprehet ajo.

Sipas Tabakut, Shqipëria nuk ka nevojë për propagandë rreth një imazhi të rremë, por për përgjigje konkrete mbi kërkesat që lidhen me procesin e integrimit europian.

Në përfundim, ajo i drejtohet Kryeministrit me një kërkesë të prerë:

“Shfuqizo ligjin për zonat e mbrojtura! Këtë duan shqiptarët, këtë kërkojnë protestuesit, kjo i duhet Shqipërisë dhe këtë na e dikton Europa tani.”

Tabaku paralajmëron se koha për përmbushjen e detyrimeve europiane po ecën dhe se vendi nuk mund të humbasë më kohë në shmangie dhe debate propagandistike.

“Kryeministri duhet t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse ora e integrimit europian vazhdon dhe Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur”, përfundon deputetja e PD-së.