Ballina Ekonomia Skemat në bujqësi, shtyhet deri më 11 Shtator afati për fermerët për...

Skemat në bujqësi, shtyhet deri më 11 Shtator afati për fermerët për plotësim dokumentacioni

60
0

Fermerët që janë shpallur fitues në fazën e parë të aplikimit për Skemën Kombëtare në Bujqësi 2026, do të kenë afat deri më 11 Shtator 2026 për dorëzimin e dokumenteve për të përfituar mbështetje financiare.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural njofton të gjithë fermerët aplikantë në kuadër të Masave Kombëtare të Mbështetjes nr. 1–7 dhe nr. 9 se, është shtyrë afati për dorëzimin e dokumentacionit shtesë.

Shtyrja e afatit synon t’u krijojë aplikantëve mundësi të mjaftueshme për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, si dhe të lehtësojë procesin e administrimit dhe verifikimit.

Afati i mëparshëm i vendosur për përfituesit e masave 1 deri në 4, ishte data 10 gusht 2026.

Ndërsa për fermerët  e shpallur fitues në listat e aplikimeve për masat 5 deri në 7 dhe masën 9, afati për plotësimin e kushteve të përfitueshmërisë ishte data 13 gusht 2026.

Aplikantët që nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar do të skualifikohen nga skema mbështetëse.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka shënuar një interes të lartë nga fermerët në të gjithë vendin duke regjistruar gjithsej 42.728 aplikime, ndërsa vlera e kërkesave ka arritur në 7.2  miliardë lekë, nga 5,2 miliardë lekë që është fondi i vënë në dispozicion.

Qarku i Fierit kryeson me numrin më të lartë të fermerëve aplikues, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora, qarqe që vijojnë të mbajnë peshën kryesore të prodhimit në vend.

Këtë vit Skema Kombëtare u organizua në 12 masa mbështetëse të ndara në 9 masa direkte dhe 3 masa investimesh, duke ofruar mundësi financimi në sektorë të ndryshëm.  Masat direkte përfshijnë 1. Tufën bazë të gjedhit; 2. Tufën bazë të të imtave; 3.Bletarinë; 4. Dosat dhe paradosat; 5.Kontrollin biologjik; 6. Fermat organike;  7. Certifikimin Global G.A.P;  8. Mbështetjen për sipërfaqet e mbjella; 9.Ripopullimin e ujërave të brendshme.

Interesi më i lartë ka qenë për tufën bazë të të imtave me 7236 aplikime, mbarështimin e bletarisë me 7016 aplikime dhe tufën bazë të gjedhit me 6732 aplikime.

Ndërsa 3 masat e investimeve, përfshijnë mbështetjen e fermerëve të rinj deri në 40 vjeç; ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve;  Mekanizimin e bujqësisë.

Këto masa synojnë të mbështesin fermerët në uljen e kostove të prodhimit, rritjen e cilësisë së produkteve, përmirësimin e standardeve të prodhimit dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme bujqësore.