Në vijim të fjalimeve përballë godinës së ekzekutivit, një nga protestuesit ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, si dhe i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë SPAK-ut dhe organit të drejtësisë për nisjen e menjëhershme të arrestimeve në radhët e kabinetit qeveritar. Protestuesi e akuzoi kreun e qeverisë se tregon forcë vetëm përballë qytetarëve të tij, ndërsa jashtë kufijve shfaqet i dobët.
“Edi Rama bën të fortin me popullin shqiptar. Nuk i vjen turp që e tërheq popullin zvarrë! Si mund të jesh i fortë brenda Shqipërisë kur shkon jashtë shtetit dhe përulesh në gjunjë si mi arash? Nuk je i fortë, je i dobët, je një kriminel!” – u shpreh ai nga tribuna e protestës.
Më tej, ai i kërkoi sistemit të drejtësisë të ndërpresë procedimet ndaj protestuesve dhe të përqendrohet te hetimi dhe prangosja e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
“U bëjmë thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të mos e arrestojnë e gjykojnë popullin pse hedh një vezë, por të arrestojnë kriminelët. Korrupsionin e kanë në qeveri, me bandën e kryeministrit. O SPAK mjeran, a e dini se paguheni nga populli shqiptar? E keni rrogën 6 mijë deri 8 mijë euro. Çfarë po bëni? Asgjë nuk po bëni, turp të keni!” – deklaroi protestuesi.
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje prokurorëve të posaçëm të ndërmarrin veprime konkrete brenda muajit të ardhshëm: “U bëjmë thirrje SPAK-ut jo thjesht të hetojë Ramën, Ballukun e vartësit e tyre, por t’i arrestojë menjëherë brenda shtatorit!”







