Disa media ironizuan dje pamjet e publikuara nga Sara Mila, ku ajo shfaqej me një dosje të hapur në dorë, ndërsa në rrjet u komentua se fletët dukeshin bosh. Reagimi i saj nuk vonoi: sipas Milës, “mjeshtrat e TikTokut” kishin bërë një “zbulim të jashtëzakonshëm”, ndërsa ajo këmbënguli se fletët nuk ishin bosh dhe se gjithçka lidhej me punën e saj pranë qytetarëve në kuadër të nismës “Prania Besnike”.
Në fakt, problemi i Sarës nuk është nëse fletët kanë apo nuk kanë germa. Problemi është se ajo që shkruan dhe thotë tingëllon kaq e gatshme, kaq e konsumuar dhe kaq e nxjerrë nga manuali i propagandës, sa më mirë do të ishte të pranonte variantin e parë: bosh. Sepse ndonjëherë një fletë bosh është më e ndershme se një fjalim plot me fraza për “qytetarët”, “punën”, “përpjekjen” dhe “ambicien”, që në fund nuk thonë asgjë.
Sara Mila thotë se “nuk ka nisur me Praninë Besnike”, sepse ajo këtë punë e ka bërë që ditën e parë në periferi. Pra, sipas saj, nisma e re e Ramës nuk e ka gjetur në gjumë, por thjesht i ka dhënë një hashtag punës që ajo paskësh bërë gjithmonë. Një skemë e njohur kjo: kur shefi shpik një nismë, vartësit zbulojnë menjëherë se e paskan zbatuar prej kohësh, madje më mirë se të tjerët.
Ironia është se në vend që të sqaronte thjesht çfarë kishte në ato fletë, Mila prodhoi pikërisht atë që u vu në dyshim: një tekst të gjatë, të mbushur me klishe, ku qytetarët janë sfond, puna është dekor, ndërsa mesazhi i vërtetë është besnikëria ndaj shefit. Me germa apo pa germa, boshllëku mbetet aty. Dhe këtë nuk e krijuan “tiktokerat”; këtë e shkroi vetë propaganda./vna







