Kullat tradicionale të Veriut pritet të përfshihen në një program të posaçëm restaurimi dhe rijetëzimi, që synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe kthimin e tyre në struktura me funksion ekonomik dhe turistik.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja, bëri të ditur në një status në rrjetet sociale se po finalizohet Programi Kombëtar për Rijetëzimin e Kullave të Veriut, në bashkëpunim me GIZ dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Objektivi është që brenda vitit 2027 programi të kalojë nga faza aktuale e evidentimit, formalizimit të pronësisë dhe projektimit, në investime konkrete për restaurimin dhe rijetëzimin e kullave.
Një nga çështjet kryesore që po trajtohet përpara nisjes së investimeve është pronësia. Sipas Gonxhes, së bashku me ASHK-në janë trajtuar deri tani 697 raste në qarqet Dibër, Shkodër, Lezhë dhe Kukës, me qëllim krijimin e bazës juridike të nevojshme që objektet të mund të përfitojnë financim.
Nga rastet e trajtuara, 180 kanë përfunduar me vendim ose janë pajisur me certifikatë pronësie, ndërsa 50 raste ishin certifikuar më parë. Për 73 raste pritet plotësimi i dokumentacionit, ndërsa 175 të tjera rezultojnë pa aplikim. Gjashtë raste ndodhen në proces afishimi.
Paralelisht me procesin e pronësisë ka nisur edhe puna për përgatitjen teknike të ndërhyrjeve. Në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës janë hartuar 28 projekte konceptuale restaurimi, që do të përdoren si modele për ndërhyrjet konkrete.
Faza e radhës do të jetë përcaktimi i listës së objekteve që do të trajtohen me përparësi. Në fokus do të jenë fillimisht 64 kullat që kanë statusin Monument Kulture, objektet që konsiderohen në rrezik, si dhe kullat për të cilat çështja e pronësisë është zgjidhur ose është pranë përfundimit.
Për objektet prioritare parashikohet mbështetje e drejtpërdrejtë nga buxheti, me synim restaurimin e plotë dhe rikthimin e tyre në përdorim.
Programi synon që ndërhyrja të mos kufizohet vetëm në restaurimin fizik të ndërtesave. Kullave pritet t’u jepet edhe një funksion ekonomik, duke i përshtatur, sipas rastit, si bujtina, struktura agroturizmi, muze apo qendra mikpritjeje.
Në këtë mënyrë, ruajtja e arkitekturës tradicionale të Veriut synohet të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit dhe krijimin e aktivitetit ekonomik në zonat ku ndodhen kullat.
“Synimi është që, krahas restaurimit, kullave t’u japim një funksion konkret – si bujtina, agroturizme, muze apo qendra mikpritjeje – në mënyrë që investimi të gjenerojë aktivitet ekonomik dhe turistik”, shkruan ministri Gonxhja.







