Ballina Europë ‘Lamborghini’ me 200 km, përplaset me një makinë tjetër dhe shpërthen në...

‘Lamborghini’ me 200 km, përplaset me një makinë tjetër dhe shpërthen në flakë, humbin jetën tragjikisht dy persona

62
0

Dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën në një aksident të rëndë trafiku në një autostradë të Parisit, ku një Lamborghini Aventador u përplas me një automjet tjetër, për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta.

Aksidenti ndodhi mëngjesin e së shtunës, më 5 shtator, në autostradën A3, në zonën e Saint-Denis, kur një baba 63-vjeçar dhe djali i tij 27-vjeçar kishin marrë me qira makinën sportive për një udhëtim.

Sipas informacioneve fillestare, ata dyshohet se po udhëtonin me shpejtësi deri në 200 km/orë kur Lamborghini u përplas me një automjet tjetër, në të cilin ndodheshin katër persona. Automjeti i dytë u përmbys në autostradë, duke shkaktuar plagosjen e pasagjerëve.

Lamborghini u nda përgjysmë nga përplasja dhe më pas u përfshi nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e dy personave që ndodheshin brenda.

Babai, i cili ishte në drejtimin e automjetit, u përplas me forcë dhe u nxor nga makina si pasojë e përplasjes, duke humbur jetën në vendngjarje. Djali i tij, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit, mbeti i bllokuar brenda automjetit dhe humbi jetën si pasojë e zjarrit.

Zyra e prokurorit që po heton ngjarjen nuk ka konfirmuar shpejtësinë e saktë me të cilën po lëvizte Lamborghini, por ka deklaruar se automjeti po udhëtonte “mbi” shpejtësinë e lejuar.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike menjëherë pas aksidentit fatal. Lamborghini Aventador i gjelbër shihet i shkatërruar plotësisht dhe i përfshirë nga flakët, ndërsa një re e dendur tymi të zi ngrihet në qiell.

Pasi zjarri u shua, nga automjeti luksoz kishte mbetur vetëm një masë e deformuar metali.