Ballina Politika Protesta dhe përplasja e qytetarëve me policinë, flet aktivisti: Shohim një intensifikim...

Protesta dhe përplasja e qytetarëve me policinë, flet aktivisti: Shohim një intensifikim të dhunës, duket qartë që janë urdhra politikë

49
0

Intensifikimi i frikshëm i dhunës policore ndaj qytetarëve, po denoncohet si një urdhër i pastër politik për të shtypur zërat aktivë dhe për të mbjellë panik në sheshe.

Kjo pasi, përdorimi i policëve pa uniformë dhe pa mjete identifikimi ka ngjallur shqetësime serioze se mes forcave të rendit mund të jenë infiltruar elementë të lidhur me bandat, të cilët veprojnë jashtë çdo kuadri ligjor duke ushtruar terror mbi protestuesit paqësorë.

I ftuar në nje interviste televizive, aktivisti Andi Tepelena u shpreh se një ndër rastet më flagrante mbetet ai, ku individë të paidentifikuar tërhoqën zvarrë dhe futën në taksi një qytetar, një skenë që rikthen hijet e errëta të policisë sekrete të regjimit komunist.

Pavarësisht taktikave dhe manovrave të dyshimta të policisë për të provokuar turmën—përfshirë lëvizjet e papritura të kordonëve të sigurisë—theksoi Tepelena, protestuesit kanë ruajtur qetësinë.

Kjo qëndrueshmëri, shtoi aktivisti, duket se ka futur në panik qeverinë, e cila, e rënduar nga skandalet e dosjes McGonigal dhe ish-zëvendëskryeministrit, po kërkon me dëshpërim një pretekst për t’i portretizuar protestat si akte të dhunshme dhe një lloj “grushti shteti” të financuar nga të huajt.

Sipas Tepelenës, qëllimi përfundimtar i këtij skenari është krijimi i një narrative mashtruese për ndërkombëtarët, duke u përpjekur t’i bindë ata se vetëm ky pushtet mund të garantojë stabilitetin e vendit përballë një “turme ekstremiste”.

Shohim një intensifikim të dhunës nga ana e policisë. Duket qartë që janë urdhëra politikë që merren në momente të caktuara për të, për të dhunuar pikërisht protestues, që janë të zëshëm, që janë aktiv, në një farë mënyre për të trembur, për të intimiduar të gjithë protestuesit në shesh.

Kjo ka filluar që me 1 shtatorin, besoj e keni parasysh atë rastin kur një polic e tërhiqte zvarrë një protestues paqësor që po xhironte me video dhe nuk po ushtronte asnjë, asnjë lloj dhune, e tërhiqen zvarrë. Ishte një dhunë e paprecedentë dhe e papranueshme, edhe pse ai po ishte në gjithë të drejtën e tij për të xhiruar dhe për të informuar publikun për çfarë po ndodhte, pra është një e drejtë kushtetuese le të themi.

Për këtë rast ka një kallëzim penal te Qendra Respublica ndaj policëve të cilët ushtruan dhunë. Ndërkohë, pamë edhe ditën e djeshme që kemi jo vetëm një dhunë, jo proporcionale, por gati një çmenduri totale, ku për të, për të intimiduar, sulmohen dhe protestues që ndodhen në trotuar, në hapësira që nuk shqetësojnë askënd apo po protestojnë në mënyrë, në mënyrë demokratike.

Goditjeve le të themi me vezë dhe me fruta të kalbura, që janë një mjet demokratik i të protestuarit, një mjet jo i dhunshëm, policia i përgjigjet në mënyrë të frikshme, me policë të cilët një pjesë e tyre ishin dhe civilë pa mjete identifikimi, nuk dihet se çfarë janë.

Kjo është një çështje shumë serioze, sepse ata mund të jenë edhe grabitës, mund të jenë hajdutë, mund të jenë të lidhur me bandat, me eminencën e ngritur në qeveri.

Këta protestues, se nuk nuk pyesin fare as, as policinë e shtetit. Pra janë komplet jashtë, marrin vetëm urdhra politikë për të goditur protestuesit. 

Kjo që ndodhi me Arvina Lleshin është një rast flagrant i dhunës që po ushtron pushteti në këto momente paniku, le të themi, pra katër njerëz civilë pa një numër identifikimi e marrin, e tërheqin, e fusin në taksi dhe e çojnë diku.

Pra të kujton skena dhune të kohës dhe gjatë regjimit komunist në të ’90-at, ku njerëz të policisë sekrete, të policisë partisë ndërhynin për të dhunuar protestuesit dhe nuk dihej fati i protestuesve.

Në këtë aspekt duhet të shqetësohemi të gjithë, duhet të ngrenë të gjithë zërin dhe pranë institucioneve shqiptare, por edhe atyre ndërkombëtare, sepse kjo dhunë po bëhet një skenar i përhershëm. 

Ndërkohë që situata… ndërkohë që vazhdojnë protestuesit të protestojnë në mënyrën e tyre demokratike, paqësore. Pra kemi një dhunë jo proporcionale nga policia…

Po, ka një skenar nga policia dhe kjo është vënë re, është vënë re dhe në ato të protestat e 1 shtatorit e të tjera. Kjo ka qenë ditën e parë, thelbi i protestës për ta nxjerrë protestën një turmë të dhunshme, ekstremiste që punojnë për shërbimet e huaja, e që kanë në plan për të bërë një puç shteti ku ta di unë, domethënë. Kjo është një skenar tashmë që e ka ngritur prej kohësh dhe nuk i ka funksionuar. Nuk i ka funksionuar as Ramës as qeverisë.

Sepse turma ka qenë… më fal, protesta ka qenë stoike, e qëndrueshme, ka bërë një protestë shumë të madhe, demokratike dhe kjo i ka çmendur. I ka çmendur. Dhe shtatori si duket ka qenë e futur në panik. Tashmë qeveria Rama e futur në panik sepse edhe fakte të reja shumë të rënda në kurriz të, ndaj kryeministrit Rama, i cili pritet nga ish-zëvendëskryeministri, po dhe nga dosjet e Albanian foles e të tjerë, e rëndojnë shumë pozitën e tij.

Kjo tregon që e ka humbur fare davanë dhe kërkon që të gjejë një sebep, një pretekst për të sulmuar protestuesit, për ta nxjerrë një turmë të dhunshme, le të themi.

Dhe kjo është me të gjitha mënyrat, me mënyrat më djallëzore të mundshme, duke futur provokatorë, duke futur përçarje midis protestuesve, duke krijuar ndasi midis tyre, domethënë midis individëve të caktuar që janë, patjetër që punojnë për policinë sekrete. 

Dhe kjo është ajo e gjitha që po ndodh. Mirëpo më e rënda është ku ndërhyhet edhe pikërisht në hapësira që nuk, nuk prekin fare as, nuk ndikojnë fare në jetën e përditshme, siç janë nëpër trotuare, siç ka ndodhur.

Mua personalisht më kanë marrë nga trotuari e tjerë e tjerë. Edhe të fusin, të bllokojnë në komisariate thjesht për të intimiduar dhe për të bllokuar çdo komunikim me, me protestuesit.

Pra është shumë shqetësuese kjo gjë, është shumë shqetësuese sepse po shkohet drejt një skenari për ta nxjerrë një grup, një protestë ekstreme edhe për t’i krijuar idenë, bindjen ndërkombëtarëve për sy e faqe, që është kjo qeveri që mund të ruajë stabilitetin e vendit.

Kjo është fabula, kjo është narrativa që duan të ndërtojnë. Pra ndërtohet një skenar ku thuhet që kemi ca protestues të dhunshëm dhe qeveria po merr masat që të pranojë, amortizojë çdo lloj dhune ekstreme.