Ballina Aktualitet Spahiu: Konflikti i dy pushteteve qeveri-gjyqësor për rrogat, i paprecendentë për një...

Spahiu: Konflikti i dy pushteteve qeveri-gjyqësor për rrogat, i paprecendentë për një shtet juridik

45
0

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se përplasja mes qeverisë dhe magjistratëve, lidhur me bllokimin e pagave për gjyqtarët e prokurorët, duhet të ishte shmangur. Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live në Report Tv, ku e cilësoi konfliktin mes dy pushteteve si të paprecedentë, për një shtet që ka 36 vite demokraci.

“Është e papranueshme që 36 vite pas ngritjes së një shteti ligjor në Shqipëri, të kemi një përplasje të këtij karakteri që është sa teknik, aq edhe banal. Sepse mendoj që nëse do të kishte pak vullnet nga të dyja palët, konflikti nuk duhet të kishte degraduar deri në pikën e sotme”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu shtoi se nëse do i bëhej një analizë situatës, do të vihej re që të dy palët janë në të drejtën e tyre.“Mendoj me një analizë të thellë se të dyja palët janë në të drejtën e tyre. Sepse po ta shikojmë në detaje, padyshim që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë gjyqtarëve, për formulën përmes të cilës duhet zgjidhur niveli i pagave të gjyqtarëve dhe ka vendosur detyrimin për të nxjerrë aktet ligjore përkatëse për zbatimin e këtij vendimi, por nga ana tjetër nuk është se ka një refuzim politik nga qeveria, për të thënë që nuk e ekzekutojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Spahiu.

Në përfundim Spahiu theksoi se ky tension mes palëve në njëfarë mënyre është i stisur nga vetë Qeveria dhe sistemi gjyqësor. Për Spahiun, ky konflikt ul reputacionin e institucioneve shqiptare si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët.

“Tashmë është publike që ka një datë në të cilën ligji do të miratohet në Kuvend dhe unë mendoj që në njëfarë mënyre është një teksion i amplifikuar me pa të drejtë nga të dy palët. Ky konflikt ul reputacionin e institucioneve kushtetuese shqiptare. Nga ana tjetër, vetë qeveria duhet të kishte gjetur një mënyrë për ta shmangur këtë debat. Por edhe gjyqtarët mund ta kishin shmangur këtë konflikt, kur bëhet fjalë për një javë”, përfundoi Spahiu.