Ballina Politika “KAYO”, “ishull paligjshmërie””/ Tabaku: Rama, arkitekti i sistemit të “arkipelagut të paligjshmërisë”!

“KAYO”, “ishull paligjshmërie””/ Tabaku: Rama, arkitekti i sistemit të “arkipelagut të paligjshmërisë”!

90
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ngritjen nga qeveria të një sistemi institucionesh dhe korporatash shtetërore që, sipas saj, funksionojnë jashtë standardeve të transparencës, konkurrencës dhe llogaridhënies. Në “Këndin e Fundjavës”, Tabaku analizoi tri prej këtyre strukturave – kompaninë shtetërore KAYO, Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare – duke i cilësuar ato si pjesë të një “arkipelagu paligjshmërie”, të ndërtuar gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës.

Sipas Tabakut, këto struktura mund të duken të largëta nga shqetësimet e përditshme të qytetarëve, por mënyra se si ato përdorin fondet dhe pasuritë publike ndikon drejtpërdrejt te çmimet, taksat, cilësia e shërbimeve dhe kostoja e jetesës. “Paratë janë publike. Pasuritë janë publike. Rreziku është publik. Ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit. Dhe kjo është ekonomia e pakicës, faturën e së cilës e paguan shumica”, deklaroi Tabaku.

Në qendër të analizës së saj ishte KAYO, shoqëria shtetërore e krijuar për industrinë e mbrojtjes, e cila në një periudhë të shkurtër është përfshirë në një sërë shoqërish të përbashkëta me kompani private. Tabaku ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë, konkurrencën, vlerësimin e përvojës së tyre, kontrollin e kostove, konfliktin e interesit dhe publikimin e kontratave e të pronarëve përfitues. “Si u përzgjodh secili partner? Çfarë gare u zhvillua? Si u vlerësua përvoja e tyre? Kush i kontrollon kostot? Kush verifikon konfliktin e interesit? Ku publikohen kontratat dhe përfituesit fundorë? Çfarë përgjegjësie mban bordi për çdo euro të shpenzuar?”, pyeti deputetja demokrate. Sipas saj, përdorimi i argumentit të sigurisë kombëtare nuk mund të shërbejë si mburojë për mungesën e transparencës financiare. Ajo bëri të qartë se opozita nuk kundërshton zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes, por modelin që u kalon fitimet privatëve dhe rrezikun qytetarëve.

Sipas saj, qeveria është njëkohësisht aksionare, emëron drejtuesit, përcakton prioritetet dhe merr raportimin, ndërsa mungon një kontroll plotësisht i pavarur. “Një bankë zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen; por, pa filtra profesionalë, mund të kthehet në sportel për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon, ose mikun që telefonon. Mund të ndihmojë biznesin me ide, ose biznesin me lidhje”, paralajmëroi Tabaku. Ajo kërkoi transparencë për kreditë e mëdha, garancitë shtetërore, përfituesit dhe çdo ekspozim të mundshëm të buxhetit, duke nënvizuar se “zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca. Vetëm favori ka frikë prej saj”.