Ballina Politika Tomë Gashi rikujton kohën kur Edi Rama erdhi në Prishtinë për ta...

Tomë Gashi rikujton kohën kur Edi Rama erdhi në Prishtinë për ta bindur Thaçin dhe Mustafën për Specialen

98
0

Avokati Tomë Gashi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e lidhur vizitën e tij në Gjirokastër me qëndrimet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ndaj themelimit të Gjykatës Speciale në Kosovë.

Në postimin e tij, Gashi shkruan se ndodhet sot në Gjirokastër, ashtu si edhe Edi Rama. Kjo, sipas tij, i ka rikthyer në kujtesë një periudhë kur Rama kishte ardhur në Prishtinë për të bindur Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votonin themelimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Gashit, Rama nuk kishte arritur t’i bindte Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe disa deputetë të tjerë.

Postim i plotë:

Gjirokastra & Gjykata Speciale!

Unë sot në Gjirokastër.

Edi Rama sot në Gjirokastër.

Si për sherr, m’u kujtua kur pat ardhë Edi në Prishtinë me bind Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe deputetët e Kosovës me votu Gjykatën Speciale.

Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, si dhe disa deputetë, nuk arriti t’i bindë.

Tani, unë nuk besoj që Edi Rama është i lumtur që ndihmoi paksa si shumë për ta vënë nën akuzë luftën çlirimtare, duke i dërguar në burg udhëheqësit e UÇK-së.

Unë nuk besoj që dikush është i lumtur që, me votat e 82 deputetëve, më 2 gusht 2016, u votua Gjykata raciste, antikombëtare.

Ata që votuan këtë Gjykatë duhet ta dinë se e kanë cenuar Republikën e Kosovës, e kanë cenuar sovranitetin e Kosovës, e kanë njollosur UÇK-në.

Dhe ata drejtësinë e kthyen në ndëshkim të luftës për çlirimin tonë.