Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, nderoi në fjalimin e saj në “Marshin për Liri”, sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së.
Ndërsa rrëfeu mungesën e babait gjatë rritjes, Liriona shprehu edhe krenarinë e të dhuruarit dy dëshmorë atdheut. “UÇK është amanet”, tha ajo.
Ndërsa për vendimin që do të jepet më 16 shtator, Liriona u shpreh se po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë dhe po tentohet të ndryshohet e vërteta.
“Kur unë dëgjoj fjalën UÇK nuk shoh vetëm 3 shkronja. Shoh babain e axhën, shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, luftëtarët dhe luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e zemër, nënat që nuk i panë bijtë, nënat që u detyruan të marrin dy role për të na rritur.
Kur përmendet UCK shoh një popull që në ditët më të vështira të historisë, më mirë të vdiste në këmbë se të jetonte i gjunjëzuar. UÇK ishte përgjigjja e një populli që me shekuj luftoi për liri. Para shtetit ishte sakrifica, para flamurit ishte gjaku dhe para lirisë ishin ata që luftuan pa e ditur se do të kthehen.
UÇK nuk është slogan, politikë, është amanet. Sot, kaq vite pas luftës, pas gjithë sakrificave, disa prej luftëtarëve ndodhen në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sot po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë. Sot po tentohet të ndryshohet e vërteta.
Edhe pse nuk kemi sulmuar asnjë vend të botës, nuk dhunuam gra e fëmijë, vetëm luftuam agresorin, edhe pse gjithçka bëmë ishte të mbronim atdheun.
Unë dua drejtësi për çlirimtarët! Kosova nuk ka nevojë për më shumë mure, ka nevojë për një urë që na bën të kuptojmë se interesi për atdheun duhet të tejkalojë çdo interes personal e partiak”, tha Liriona.







