Ballina Ekonomia Shqipëria, më e shtrenjta në rajon/ Taksat e Ramës mbysin çmimin e...

Shqipëria, më e shtrenjta në rajon/ Taksat e Ramës mbysin çmimin e naftës

52
0

Janë publikuar çmimet mesatare të karburanteve në rajonin e Ballkanit përfshirë dhe Turqinë, bazuar në mesataren e 3 ditëve të fundit, 11–13 shtator 2026.

Më konkretisht në tabelë janë listuar çmimet mesatare të karburanteve në Turqi, Maqedoni e Veriu, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Slloveni, Mal të Zi, Kroaci, Serbi, Rumani, Greqi dhe Shqipëri.

Siç shihet edhe në tabelën e mëposhtme, sipas “Fuel Prices in Europe – Tolls.eu”,  Shqipëria rezulton me vlerën më të lartë të çmimit të karburanteve, me 2.22 euro/litri i benzinës dhe 2.37 euro/litri i naftës.

Ndërkohë cmimi më i lirë i tregtimit të naftës dhe benzinës është në Turqi, ku benzina shitet me 1.37 euro/litri, ndërsa nafta me 1.58 euro/litri

Të dhënat tregojnë një diferencë të ndjeshme me vendet fqinje, veçanërisht me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku konsumatorët paguajnë shumë herë më pak për naftën dhe benzinën.

Në Shqipëri një arsye për çmimin e lartë të çmimit të karburanteve është dhe ngarkesa fiskale.

Kjo sepse, nëse për të gjitha vendet e rajonit zbatohet një strukturë e thjeshtë për llogaritjen e çmimit të naftës, në Shqipëri përveç akcizës 0.37 euro për litër dhe TVSh-së 20%, mbi çmimin e naftës aplikohet edhe dy taksa të tjera shtesë.

Dy taksat shtesë janë taksa e qarkullimit (27 lekë për litër) dhe taksa e karbonit (3 lekë për litër). Kjo bën që struktura fiskale në Shqipëri të jetë dukshëm më e rënduar, duke përbërë rreth 50% të çmimit apo 100 lekë për litër.

Ndërkohë nga kjo situate, më e fituara rezulton qeveria, që ka arkëtuar më shumë TVSH si rrjedhojë e çmimeve më të shtrenjta, ndërsa ka shpenzuar vetëm 37 milionë lekë, kur çmimi ka qenë disa ditë mbi 220 lekë në prill, nivel mbi të cilin aktivizohet ulja me 20% e akcizës.