Ballina Dossier HISTORI/ 100 vjet nga eliminimi i Çetës së Kolë Gojanit

HISTORI/ 100 vjet nga eliminimi i Çetës së Kolë Gojanit

60
0

Nga Prof. Dr. Lush Culaj

Lëvizja kaçake lindi si formë e rezistencës kundër pushtuesit të huaj. Kaçakët njihen me këtë emër qysh në periudhën turke, në shekujt XV-XVI, dhe si lëvizje kishte më tepër karakter ekonomik sesa politik.

Fjala “kaçak”, në kuptimin etimologjik, është e përbërë prej dy fjalëve turke “akti-kaçti”, që do të thotë iku, u zhduk. Por fjala “kaçak” nuk jep shpjegimin se për ç’kategori të arratisurish bëhet fjalë, por vetëm përkufizohet si i arratisur nga pushteti.

Mirëpo, lëvizja kaçake në Kosovë ishte lëvizje e masave të gjera popullore, e mbështetur në traditat dhe luftërat e popullit shqiptar për liri kombëtare. Ishte vijim i luftës shekullore të popullit shqiptar kundër sunduesve të huaj. Kjo ishte luftë e grupeve të organizuara, të cilat në popull ishin të njohura me emrin çeta. Forma e veprimit të tyre ishte lufta guerile; ato sulmonin armikun në pikat më të dobëta, duke bërë sulme të furishme e tërheqje të shpejtë. Një ndër çetat që u dallua për aktivitetin e vet kombëtar ishte edhe Çeta e Kolë Gojanit.

Kolë Gojani është personalitet që, me plot meritë, i takon atributi i luftëtarit të shquar kombëtar, i cili deri në momentet e fundit të jetës luftoi me armë në dorë për jetësimin e lirisë kombëtare.

U lind në vitin 1888 në fshatin Jagodë të Klinës së sotme. Nga babai Preni dhe familja e gjerë ishte frymëzuar që në fillet e para të jetës me ideale liridashëse. Që në moshë fare të re tek ai vërehej karakteri i një djaloshi të ri, tek i cili ishin brumosur burrëria, aftësia mendore e luftarake, trimëria dhe, mbi të gjitha, atdhedashuria.

Në formimin e tij patriotik një rol të veçantë luajti edhe nëna e tij, Maria, e cila rridhte gjithashtu nga një familje e njohur, Bibajt e fshatit Ranoc të Klinës.

Për arsye të raprezaljeve shtetërore dhe për shkak se vëllai i Kolës, Ndou, kishte marrë pjesë në vrasjen e një serbi nga fshati Kosh i Istogut, familja e Kolë Gojanit u shpërngul nga fshati Jagodë dhe u vendos në afërsi të Gjakovës – te Mulliri i Haxhisë.

Kola, në moshë fare të re, pra në moshën 15-vjeçare, u armatos dhe këto armë nuk i dorëzoi deri në çastet e fundit të jetës.

Pas luftërave ballkanike 1912-1913 dhe pas kapitullimit të Perandorisë Osmane, Kosova nuk e fitoi lirinë e kërkuar me shekuj. Ajo vetëm e ndërroi okupatorin, duke u pushtuar nga serbo-malazezët. Në vazhdimësi të kërkimit të lirisë, Kola me shokë ia kthyen pushkën okupatorit të ri. Në territorin e Rrafshit të Dukagjinit ai e filloi propagandën kundër pushtuesve serbo-malazezë, prandaj edhe pushteti i atëhershëm e konsideronte të rrezikshme veprimtarinë e këtij atdhetari.

Pas shpërbërjes së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, rezistenca kombëtare filloi të dobësohej, por ajo kurrë nuk u shua tërësisht. Në Kosovë vazhdonin të vepronin disa çeta të vogla çlirimtare, të cilat assesi nuk mund të pajtoheshin që shqiptarët të ngelnin të shtypur e të persekutuar nën zgjedhën serbe.

Në mesin e atyre çetave që dalloheshin ishin: Çeta e Mehmet Delisë nga Drenica, e Jonuz Topit nga Lladrovci, e Smajl Seferit, e Kolë Gojanit etj., që kryesisht ishin të vogla. Me qëllim që t’i zhdukte këto çeta, pushtuesi serb i ndiqte ato këmba-këmbës.

Çeta e Kolë Gojanit vepronte në rrethin e Klinës, të Gjakovës dhe të Prizrenit. Disa nga bashkëluftëtarët e Kolës ishin: Palokë Kola me vëllanë Markun, Hil Ramaja, Mark Ramaja, Zef Gjidoda, Tunë Nikolla, Zef Ndoja nga Xhuxha e Shqipërisë, Mhill Oroshi (Zymeri) etj. Mbështetja dhe përkrahja e popullit, si zakonisht për ta, nuk mungonte. Kështu, për furnizimin e kësaj çete me armë dhe me municion, një ndihmesë të veçantë e dha Pren Palushi nga Radullovci, i cili ishte kushëri i afërt i Kolës.

Çeta e Kolë Gojanit, në fund të korrikut 1926, shkoi nga fshati Radulloc i Klinës në fshatin Shpenadi të Prizrenit. Kjo çetë qëndroi rreth shtatë javë në fshatrat Shpenadi e Velezhë. Luftëtarët e saj vendqëndrim kishin fushat dhe pyjet e këtyre fshatrave.

Mbështetjen kryesore kjo çetë e gjeti te familja e Palokëve të Nagallavës, Komuna e Klinës, e cila jetonte, në atë kohë, në Shpenadi të Prizrenit, si dhe te familja e Ukë Lushit, Zef Gjinit, Gjokë Hasan Tushit etj.

Frekuentimi më i madh i çetës ishte në Kullën e Ukë Lushit, e cila ishte në periferi të fshatit, dhe kjo pozitë atyre u konvenonte nga aspekti strategjik. Për qëndrimin në këtë familje të Kolës me shokë, ishin bërë me dije organet e xhandarmërisë, me ç’rast edhe i rrethojnë.

Duke vërejtur se numri i xhandarmërisë ishte i madh, Kola me shokë heqin shokat nga brezi, gjë që dëshmojnë fotografitë e tyre, dhe me shoka të lidhura zbresin prapa kullës me qëllim që të hyjnë në pyll të Velezhës. Në pamundësi që të hyjnë në pyll nga pengesa e xhandarmërisë, ata u detyruan të drejtohen nga një lëndinë me ferra e ashtuquajtur “Terazhë”.

Çeta veproi mbi tre muaj në territorin e Kosovës

Për ta likuiduar këtë çetë ishin mobilizuar forca të xhandarmërisë nga Prizreni, Suhareka, Lubizhda, Rahoveci, Dragashi etj. Në krye të këtyre forcave mori pjesë edhe komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë, gjeneral Vojin Tomiqi.

Çeta e Kolë Gojanit kishte vepruar më tepër se tre muaj në mbarë territorin e Kosovës, deri në Vushtrri, jo aq me armë sa kishte bërë kontrollimin e çetave dhe organizimin e tyre në luftë për çlirimin kombëtar. Kjo ishte njëherësh edhe arsyeja pse kjo çetë pastaj të ndiqej këmba-këmbës.

I rrethuar në të gjitha anët dhe i zënë në grackë nga tradhtia e disa “shqiptarëve faqezi që tradhtojnë shokët e vrasin vllazni”, siç do të këndojë më vonë rapsodi popullor, Kolë Gojani me shokë vendosi të luftojë deri në vdekje.

Ishte pikërisht data 9 shtatorit 1926, dita kur lufta zgjati me orë të tëra. Krahu i djathtë i Kolë Gojanit ishte Palokë Kola, kaçak që nga viti 1916. Këtë e dëshmon edhe rapsodi popullor përmes këngës:

*“Kolë Gojani e

Palokë Kola*

 

*Po luftojnë si dy

sokola…”*

Në krah të këtyre trimave gjer në vdekje do të qëndronte edhe vëllai i Palokë Kolës, Marku (Binaku), që ishin nga fshati Qerim i Gjakovës. Për shkak të rëndësisë së madhe që i kushtohej elementit të kësaj çete, pushteti serb zhvilloi një luftë shumë të rreptë.

Fillimisht ishte plagosur Mark Kola. Me gjithë rrethimin e hekurt, ndoshta edhe ekzistonte mundësia për ikje, por ata nuk pranuan që ta linin shokun e plagosur.

Pas një lufte të gjatë u vranë të gjithë shokët e Kolës, përfshirë këtu edhe Palokë Kolën, kurse Kolë Gojani u plagos rëndë. Edhe pse në gjendje të vështirë, ai e vazhdoi luftën deri në përfundim të municionit të pushkës.

Pasi iu shpenzua municioni, ai e vendos shaminë e kuqe në grykë të pushkës, gjoja në shenjë dorëzimi. Me këtë rast, majori i xhandarmërisë, Petronije Gjorgjeviq, u ngrit në këmbë së bashku me qenin që kishte me vete dhe tentoi ta kapte të gjallë Kolën. Mirëpo, Kola, që kishte vendosur ta bënte vdekjen e burrave me revolverin që po e ruante për çastet e fundit të jetës, e plagosi rëndë majorin dhe ia vrau qenin.

Me këtë rast prapë filloi lufta, ku Kolë Gojani luftoi me xhandarmërinë, derisa një plumb e goditi për vdekje.

Image

Kolë Gojani, fotografia e parë e tij e fotografuar për se vdekuri

Në lëndinën e Tarazhës kishte mbetur i vdekur, së bashku me shokë, Kolë Gojani. Pas vrasjes së këtyre luftëtarëve, në fshatin Velezhë dhe Shpenadi filluan, sikurse edhe në mbarë Kosovën, masakrat mbi shqiptarët.

Po atë natë e dogjën me benzinë kullën e Ukë Lushit – vendqëndrimin e çetës, kurse shumicën e burrave të këtyre fshatrave i mbajtën në burg një javë në Prizren, duke i torturuar në mënyrën më mizore. Sipas dëshmitarëve, qeveria kishte sjellë rrëzë atyre viseve edhe topa ushtarakë, me qëllim që, nëse nuk shkatërrohej çeta e Kolë Gojanit, të goditeshin me topa fshatrat Velezhë dhe Shpenadi.

U persekutuan edhe për së vdekuri

Për Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene shqiptarët, që kërkonin liri, konsideroheshin terroristë. Si të tillë përpiqeshin t’i paraqisnin edhe para popullit shqiptar.

Pas likuidimit të Çetës së Kolë Gojanit, forcat e xhandarmërisë serbe i tërhoqën të shtatë kufomat nga fusha e Terazhës, i vunë mbi një qerre dhe i bartën për Prizren. Të gjitha kufomat i vendosën në qendër të qytetit, në Shadërvan, për t’i ekspozuar para masës së popullit, me qëllim që t’ia fusnin frikën në palcë.

Në bazë të dokumenteve dhe të dhënave, katër luftëtarë identifikoheshin: Kolë Gojani, Palokë Kola, Mark Kola dhe Zef Ndoja nga Xhuxha. Sipas dëshmive, edhe tre të tjerë ishin mirditorë nga Shqipëria, e kjo ndërlidhet me faktin se Kolë Gojani dajat e nënës i kishte nga Xhuxha, në familjen e Frrok Gjoçajt.

Për t’i identifikuar këta të tre, xhandarmëria serbe grumbulloi kalimtarë të rastit dhe i lidhi për t’i pushkatuar nëse familja nuk i identifikonte dhe nuk pranonte se ata ishin terroristë.

Oficerët e xhandarmërisë e dërguan nënën e Kolës te kufoma e Kolës, duke e pyetur se a e njihte djalin e vet. Pasi ajo u përgjigj se e njeh, oficeri i tha: “Ja se çka ka vrarë djali yt”, duke ia treguar qenin, dhe se ka shkuar gjak për gjak me qenin. Kurse ajo, e mllefosur, i thotë se djali im nuk ka shkuar gjak për gjak me qenin, por gjak me gjak për oficerë të lartë serbë.

E indinjuar më tepër nga tradhtia e shqiptarëve, sepse nga okupatori priteshin vetëm vrasje dhe torturime, nëna Mari e vajton djalin e vet Kolën në Shadërvan të Prizrenit, me ç’rast, ndër të tjera, thotë:

*“Ai që shet

vllanë e vet,

ka nuk shet kral e mret”*

*Çeta e Kolë Gojanit, e ekspozuar në Shadërvan të Prizrenit.*

Pushteti serb nuk ua dha madje as kufomat familjarëve. Në shenjë hakmarrjeje dhe të ndjelljes së frikës, sipas disa dëshmitarëve, ata u varrosën nga xhandarmëria serbe diku në rrethinë të Prizrenit, ndërsa familjarëve të Kolës, në fshatin Jagodë, iu konfiskua toka nga pushteti.

Vëllai i Kolës, Ndou, iku për në Shqipëri, kurse pas lëvizjeve të tij për në Kosovë edhe ai u vra nga serbët dy vjet pas. Nëna Mari, e cila tani kishte mbetur e vetme edhe nga vdekja e vajzës, Prenes, të martuar në familjen Coli në Krushevë të Vogël të Klinës, u përkujdes gjer në vdekje për nipat e saj jetimë, Pashk dhe Kolë Colin, në Krushevë të Vogël.

Se sa i rëndësishëm ishte likuidimi i Çetës së Kolë Gojanit për Mbretërinë SKS dëshmon e dhëna se gazeta “Politika”, menjëherë më 10 dhe më 11 shtator 1926, shkroi për shkatërrimin e kësaj çete, duke i potencuar si të vrarët, ashtu edhe të plagosurit në radhët e forcave të xhandarmërisë.

Populli shqiptar e ruajti dhe e ruan edhe sot e kësaj dite kujtimin për Çetën e Kolës dhe luftëtarët e saj të shquar. Rruga jetësore e tyre dhe e atdhetarëve të tjerë u frymëzua dhe shërbeu si shembull për çlirim.