Një 75-vjeçare në Virxhinian Perëndimore po përballet me akuza për abuzim dhe neglizhencë ndaj bashkëshortit të saj 76-vjeçar, i cili, sipas autoriteteve, qëndroi rreth 19 orë i pafuqishëm në banjën e shtëpisë pa ushqim dhe ujë.
Margaret Louise Rog është arrestuar më 15 shtator dhe është dërguar në Burgun Rajonal të North Central, ndërsa përballet me akuzën për abuzim, neglizhencë ose neglizhencë të rëndë ndaj një të rrituri të pafuqishëm, në rrethana që, sipas akuzës, krijonin rrezik të konsiderueshëm për dëmtime të rënda trupore ose vdekje. Sipas kallëzimit penal, Rog u tha hetuesve se bashkëshorti i saj kishte shkuar në banjë rreth orës 15:00 të 20 gushtit, në banesën e tyre në Morgantown. Autoritetet pretendojnë se gjatë rreth 19 orëve të ardhshme, ajo nuk kërkoi ndihmë dhe nuk telefonoi 911, ndërsa burri i saj mbeti në banjë në gjendje të rënduar.
Një terapist i të folurit që e gjeti 76-vjeçarin më 21 gusht e përshkroi gjendjen e tij si “të rrezikshme dhe të pandjeshme”, sipas dokumenteve të çështjes. Burri, i cili vuante nga Alzheimeri dhe demenca, u transportua në spital në gjendje jashtëzakonisht të rënduar. Ai qëndroi i shtruar deri më 31 gusht, kur ndërroi jetë.
Sipas autopsisë, shkaku i vdekjes ishte sepsa dhe pamjaftueshmëria kardiake. Lëndimet që ai kishte pësuar ndërsa ndodhej në banjë u konsideruan nga ekspertët mjekoligjorë si faktorë të rëndësishëm që kontribuuan në vdekjen e tij. Rog i mohon akuzat ndaj saj. Çështja tashmë ndodhet përpara drejtësisë, ndërsa pretendimet e autoriteteve do të duhet të provohen gjatë procesit gjyqësor.







