Ballina Politika Shteti shqiptar sërish në Arbitrazh/ Ministria e Kulturës akuzohet se fshehu konfliktin...

Shteti shqiptar sërish në Arbitrazh/ Ministria e Kulturës akuzohet se fshehu konfliktin në gjykatën ndërkombëtare

98
0

Buxheti i familjeve shqiptare është kthyer në një thes, nga i cili qeveria Rama fut duart gjithmonë e më shpesh për procese gjyqësore dhe arbitrazhe ndërkombëtare. Në vend që këto para të shkojnë për infrastrukturë publike, projekte kulturore, mbështetje për artistët, sport apo për restaurimin e trashëgimisë, një pjesë e tyre po përdoret për kosto  gjyqësore për të cilat nuk dihet asgjë.

Teksa shqiptarët paguajnë fatura të kripura nga çështje gjyqësore dhe arbitrazhe, si çeshtja Bechetti etj, një tjetër rast del në dritë nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Pagesat e ilustruara nga “Spending.data.al”, platformë e AIS-it, zbulojnë se institucioni që drejtohet nga Blendi Gonxhja ka paguar vetëm në muajin gusht 2026 rreth 800 mijë euro shpenzime arbitrazhi dhe shërbime ligjore.

Faturat tregojnë se Ministria ka kryer dy pagesa me një vlerë totale prej 76,6 milionë lekësh, të ndara në dy urdhra. Pagesa më e madhe lidhet me urdhrin nr. 674, datë 30 gusht 2026. Ajo arrin në 57,78 milionë lekë dhe specifikohet si paradhënie për kostot e gjyqit. Në përshkrimin e pagesës përmendet procedura e identifikuar me numrin 29714/ICA7, pagesë e cila është konvertuar në dollarë amerikan me vlerë 700,480.

Kjo vlerë nuk është dëmshpërblim ndaj palës tjetër dhe nuk provon që shteti shqiptar e ka humbur çështjen, por ngelet një paradhënie për zhvillimin e gjyqit. Megjithatë vetë fakti që Ministria ka paguar këtë shumë tregon se një procedurë arbitrazhi ka krijuar një faturë të drejtpërdrejtë për buxhetin publik.Krahas pagesës për gjyqin, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka kryer edhe një pagesë tjetër prej 18,8 milionë lekësh me urdhrin nr. 675, po më 30 korrik 2026 dhe është regjistruar si shpenzim arbitrazhi për shërbime ligjore.

Vetëm se kjo pagesë është konvertuar në euro në shumën rreth 200,040 eurove.Pagesat nga thesari nuk tregojnë se kush i ka marrë këto para për shërbime ligjore. Nuk është e qartë nëse pagesa i është kryer një studioje avokatie apo një subjekti tjetër të përfshirë në procedurë. Po ashtu, nuk ka informacione nëse kjo pagesë lidhet me të njëjtin arbitrazh të shënuar me numrin 29714/ICA7 apo nëse bëhet fjalë për një çështje tjetër.E vetmja gjë që di publiku është fatura fillestare, e cila shkon mbi 76 milionë lekë të paguara nga buxheti i ministrisë që aktualisht drejtohet nga Blendi Gonxhja.

Si gjithmonë qytetarët shqiptarë nuk e dinë se për çfarë është hapur kjo procedurë, cila është zanafilla e konfliktit dhe sa mund të jetë fatura përfundimtare, e cila nëse humbasim, lekët do të merren nga arka e shtetit.