Ballina Ekonomia Gjysma e grave jashtë tregut të punës, raporti i INSTAT: Hendeku gjinor...

Gjysma e grave jashtë tregut të punës, raporti i INSTAT: Hendeku gjinor rezulton në 13.3%

59
0

Tregu i punës në Shqipëri po tregon shenja pozitive. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT për mesin e vitit 2026, shkalla e përgjithshme e papunësisë ka rënë në 8,3%. Megjithatë, sa i përket dallimet mes burrave dhe grave, vihet re një pabarazi e madhe strukturore që vijon të penalizojë gratë.

Diferenca më e madhe vërehet te shkalla e punësimit. Ndërsa 65,1% e burrave në moshë pune janë të punësuar, te gratë kjo normë është vetëm 51,8%. Një hendek prej 13,3 pikë përqindjeje qëndron mes dy gjinive. Për më tepër, punësimi i grave nuk ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo pabarazi ilustrohet qartë nga lëvizjet në sektorët e ekonomisë. Sektori i shërbimeve po udhëheq rritjen me 4,2%. Ky sektor po punëson shumë gra, por shpesh në pozicione me paga më të ulëta. Nga ana tjetër, bujqësia ka pësuar një rënie të fortë prej -5,9%. Kjo goditje prek më shumë gratë në zonat rurale, të cilat e kanë më të vështirë të gjejnë një punë të re pas mbylljes së fermave. Ndërkohë, industria ra me -3,9%, duke tkurrur vendet e punës ku burrat janë më të pranishëm.

Në këtë kontekst, edhe papunësia vijon të jetë më e lartë te gratë. Norma e papunësisë së tyre është 9,0%, kundrejt 7,6% te burrat, duke treguar se përmirësimi i përgjithshëm i tregut të punës nuk po shoqërohet me të njëjtin ritëm përfshirjeje për të dyja gjinitë.