Ballina Aktualitet Gjyqtarja Enerjeta Shehaj skemë korrupsioni me burrin avokat që u shkarkua nga...

Gjyqtarja Enerjeta Shehaj skemë korrupsioni me burrin avokat që u shkarkua nga Vettingu me kërkesë të Altin Dumanit? Mashtrim me pasurinë, noterizime false, pastrim parash dhe pazare me dosjet

114
0

Edhe pse përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jacobs e akuzoi se kishte lejuar ndërtime të paligjshme me letra false dhe mbi tokë të zaptuar, për hua fiktive me akte noteriale të paregjistruara për të justifikuar pasurinë dhe për falsifikim dokumentesh, gjyqtarja Enerjeta Shehaj (Deraj) u konfirmua në detyrë në tetor të vitit 2022. Për t’i shpëtuar shkarkimit, përflitet se linja që qëndron pas zonjës Shehaj (Deraj) ka paguar 500 mijë euro, pasi trupi gjykues duhet të operonte me dy standarde, duke kapërcyer mbi konstatimet e pasurisë së pajustifikuar, dyshimet e arsyeshme për pastrim parash, favorizimin e paligjshmërive dhe kapjen në flagrancë duke ushtruar ndikim të paligjshëm.

Dy vjet para se kalonte Vetingun, në qershor 2020, Enerjeta Shehaj (Deraj) kandidoi për t’u bërë anëtare e Gjykatës së Lartë. Kandidimi u shoqërua me një skandal, ku gjyqtarja u denoncua se kishte fshehur një kallëzim për ndikim të paligjshëm. Megjithatë, linja e interesit që qëndron pas Enerjeta Shehajt, i gjeti fijet në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili në maj 2023 e emëroi Shehajn në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.

Në prill të vitit 2022 ishte konfirmuar në detyrë edhe bashkëshorti i Enerjeta Shehajt, Erjon Shehaj, kryeprokuror në Lezhë, i lakuar për pazare me dosjet dhe sidomos favorizimin e trafikantëve të drogës. Procesi i tij i vetingut u krye nga trupa e kryesuar nga Alma Faksaj, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Trupa gjykuese shpëtoi nga shkarkimi Erjon Shehajn pavarësisht problemeve të theksuara me profesionalizimin dhe mungesën e burimeve të ligjshme për pasurinë e deklaruar.

Vendimi i KPK-së u gjet i gabuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili në prill 2025 vendosi të shkarkonte nga detyra prokurorin Erjon Shehajn si i papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e prokurorit. Fillimisht, ishte ish-komisioneri Florian Ballhysa, i cili i kërkoi KPA-së shkarkimin e prokurorit Shehaj me arsyetimin se nuk arrin nivel minimal kualifikues në kriterin profesional. Ish drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i cili kishte marrë kompetencat e Komisionerit Publik, u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi shkarkimin e Erjon Shehajt nga detyra, pasi kishte favorizuar persona të rrezikshëm.

Ish prokurori Erjon Shehaj nuk kishte regjistruar procedim për shumë vepra penale të referuara nga policia dhe ka konkluduar më tej me pushimin e hetimeve. Një i hetuar nga prokurori Shehaj për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe i municionit”, ka rezultuar se është kapur me rreth 3 kg hashash dhe lëndë plasëse e modifikuar me qëllim mundësimin e shpërthimit në distancë nëpërmjet telefonave të lëvizshëm.

Dosjen e ka marrë në dorë prokurori Shehaj. Ky personazh i kapur me lëndë plasëse dhe drogë i ka shpëtuar burgut me shërbim prove, duke inkurajuar këtu kryerjen e veprave të tilla të rënda penale. Jo vetëm kaq. Shehaj rezulton se ka përdorur detyrën si prokuror për të ‘larë hesapet’ me avokatin Ded Guri, me të cilin kishte një konflikt. Duke shpërdoruar detyrën, Shehaj e hetoi dhe përndoqi Gurin duke e akuzuar për një letër kërcënuese ndaj tij. Guri mori pafajësinë, por prokurori i shpëtoi ndështkimit ligjor.

Tre muaj pas shkarkimit, në korrik të vitit të kaluar, ish prokurori Erjon Shehaj hap një zyrë avokatie, pranë QSUT-së në Tiranë. Disa përgjime dhe hetime proaktive të SPAK për korrupsion të çojnë pikërisht tek zyra e ish prokurorit Erjon Shehaj, tashmë si avokat. Zyra e avokatisë së Erjon Shehajt dyshohet se shërben si kamuflim i një skeme korrupsioni për të fituar gjyqet me bashkëshorten e tij, gjyqtaren e Apelit Administrativ Enerjeta Shehaj, në kërmbim të tarifave të ryshefetit sipas çështjeve.

Disa sinjalizime dhe hetimet proaktive të SPAK-ut ngrenë dyshime të forta se zyra e avokatisë së ish prokurorit Erjon Shehaj shërben për të finalizuar pazaret për vendimet e bashkëshortes së tij, Enerjeta Shehaj, për të cilën pretendohet se ka disa regjistrime duke bërë pazare me dosjet dhe ushtruar ndikim të paligjshëm. Në këtë zyrë dyshohet se shkruhet edhe arsyetimi i vendimeve të Enerjeta Shehajt.

Palët përfaqësohen me avokatë të tjerë formalë, por vota e gjyqares Shehaj në trupat gjykuese dyshohet se përcaktohet, vlerësohet dhe shitet pikërisht në këtë zyrë avokatie. Paratë e kësaj skeme korrupsioni pastrohen duke u investuar në pasuri të paluajtshme kamuluar me kredi dhe kontrata me vlerë tejet të ulët, si dhe në pasuri të tjera në emrin e personave të besuar, përfshirë apartamente, dyqane, aksione dhe interesa të tjera./ Prapaskena