Aleksandar Vuçiç po përballet me një nga sfidat më serioze politike të karrierës së tij, ndërsa sondazhet e fundit në Serbi tregojnë një garë të fortë përpara zgjedhjeve të parakohshme të 25 tetorit. Disa matje e nxjerrin forcën politike të lidhur me lëvizjen protestuese përpara SNS-së së Vuçiçit, ndërsa sondazhe të tjera japin avantazh të qartë për partinë në pushtet.
Lëvizja studentore, e cila prej gati dy vitesh ka udhëhequr protesta masive kundër qeverisjes së Aleksandar Vuçiçit, tashmë po hyn drejtpërdrejt në garën elektorale. Ajo ka paraqitur një listë me 250 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme të 25 tetorit. Lista drejtohet nga kardiologu dhe profesori universitar Ilija Srdanović dhe përfshin kryesisht akademikë, profesionistë, aktorë dhe figura të tjera publike, duke shmangur emrat tradicionalë të politikës.
Disa sondazhe të publikuara gjatë muajve të fundit e nxjerrin këtë listë përpara partisë së Vuçiçit, SNS-së, megjithëse rezultatet ndryshojnë ndjeshëm nga një institut te tjetri. Një sondazh i CRTA-s dhe Stanford Democracy Action Lab e vendoste listën studentore në 44.9%, kundrejt 35.7% për SNS-në, mes votuesve të vendosur. Ndërkohë, një tjetër model i BIRODI-t e nxirrte listën studentore në 48.5%, ndërsa SNS-në në 38.6%.
Megjithatë, të dhëna të tjera japin një panoramë krejt të ndryshme. Instituti Faktor Plus, në matjen e zhvilluar gjatë gushtit dhe shtatorit, e rendiste SNS-në në 47.2%, ndërsa listën studentore në 31.5%. Diferencat mes matjeve tregojnë se gara mbetet e hapur dhe se sondazhet në Serbi nuk japin aktualisht një tablo të vetme për rezultatin e zgjedhjeve.
Protestat kundër qeverisë nisën pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, një tragjedi ku humbën jetën 16 persona. Lëvizja u shndërrua më pas në një nga sfidat më të mëdha politike ndaj Vuçiçit që prej ardhjes së SNS-së në pushtet.
Programi i lëvizjes studentore, i titulluar “Drejtësi. Dije. Zhvillim”, kërkon reforma institucionale, një drejtësi të pavarur, transparencë në prokurimet publike dhe më shumë liri për median.
Ndërkohë, Vuçiç ka deklaruar se do të largohet nga posti i presidentit më 27 shtator, përpara zgjedhjeve të 25 tetorit, në të cilat synon të garojë për postin e kryeministrit.







