Ballina Aktualitet ‘Pensionistët marrin ilaçe me lekë borxh’/ Osman Stafa: Paratë i marrin nga...

‘Pensionistët marrin ilaçe me lekë borxh’/ Osman Stafa: Paratë i marrin nga xhepat tuaj dhe i çojnë te Kopshti Eden

63
0

Gazetari Osman Stafa, në fjalën e tij përpara Kryeministrisë në ditën e 114 tha se Shqipëria është mbytur nga korrupsioni.

Stafa theksoi se qeveria merr paratë nga xhepat e qytetarëve dhe i çon tek Kopshti Eden e tek inceneratorët.

Shtoi se pensionistët marrin ilaçe me lekë borxh, duke nënvizuar se ky është momenti i shqiptarëve për të reaguar.

Osman Stafa: Ju qëndruat në shesh gjatë gushtit, kur të tjerët shkonin me pushime. Qëndruat në bulevard për problemet tuaja.

E kam dëgjuar shpesh se pse nuk del një lider? Sepse liderët e vërtetë jeni ju, që nuk dorëzoheni përballë pushtetit, që ka në dorë shumë gjëra, ka në dorë kërcënimet e presionet. Qëllimi juaj është një dhe i vetëm e qëndroni atij zotimi, ne kemi qëndresën, ata kanë oligarkët, ne kemi forcën e shqiptarit, ata kanë paratë e krimit të organizuar. Qëndroni të bashkuar. Ju po bëni historinë në Shqipëri.

Politika në 36 vite e ka nëpërkëmbur dinjitetin e shqiptarëve. Këta bëjnë tregti me votën tuaj, ju shikojnë si dele, ju gënjejnë për legalizimet, të drejtën e pronës ta njeh Kushtetuta dhe Zoti. Ju kërcënojnë me pensionin. Këta kërcënojnë një person të paralizuar me kempin. Këta e bëjnë. Ju jeni shqiponja dhe këta frikësohen nga ju. Kur jeni bashkë, 83 zëra duken si milingona përballë jush.

Tirana është bërë e pajetueshme, qiratë për studentët janë 500 a 600 euro. Janë këto qira dhe ndërkohë çmimet e apartamenteve dhe të ushqimeve janë në qiell. Vjedhin para nga xhepat tuaj dhe me ata para ia dalin e nuk kanë halle. Korrupsioni është bërë institucioni më i rëndësishëm.

Paratë tuaja kanë shkuar tek kopshti Eden te Kryeministria. Aty ka peshq japonezë, ka pemë të ndryshme dhe i kanë kushtuar buxhetit 4.3 milionë euro. Shqiptarët dhe ilaçet i marrin borxh në farmaci. Paratë tuaj shkojnë tek inceneratorët, tek satelitët. Fshatrat kanë mbetur të boshatisur e pa ujë e shërbime.