Ballina Aktualitet Sherr për kontratën 20 milionë euro të Check Up-it/ Evita: Tenderi ka...

Sherr për kontratën 20 milionë euro të Check Up-it/ Evita: Tenderi ka mangësi serioze, ankesë KPP-së për rishikim

136
0

Tenderi 20 milionë euro për blerjen e kiteve dhe reagenteve për programin e kontrollit mjekësor bazë është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik.

Kompania Evita i ka kërkuar KPP-së që të detyrojë Operatorin e Shërbimeve të Integruara Shëndetësore që të ndryshojë kërkesat e veçanta për produktet dhe kualifikimin e kompanive.

Sipas ankesës, OSHIS ka vendosur kritere të mangëta në tender, të cilat nuk garantojnë cilësinë e prdukteve farmaceutike apo pajisjeve që do të përdoren për të diagnostikuar popullatën.

“Nga dokumentet e tenderit dhe specifikimet teknike të Lotit 2 rezulton se nuk kërkohet asnjë dokument që provon marrëdhënien e autorizuar ndërmjet prodhuesit dhe ofertuesit, nuk kërkohen katalogë, broshura ose fletë teknike të prodhuesit që tregojnë kodet/numrat e katalogut të çdo artikulli të ofruar dhe karakteristikat e tij, nuk kërkohet asnjë provë që ofertuesi disponon specialistë teknikë të punësuar, të trajnuar ose të çertifikuar nga prodhuesi ose nga subjekt i autorizuar prej tij,” thuhet në ankesën e depozituar nga Evita në KPP.

Sherr për kontratën 20 milionë euro të Check Up-it/ Evita:

Sipas kompanisë mungesa e këtyra kërkesave në tender, është në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe vendimin e qeverisë, i cili përcakton rregullat e prokurimeve publike.

Tenderi
Operatori i Sterilizimit do të blejë 20 milionë euro kite, reagentë dhe materiale mjekësore për të ofruar shërbimin e kontrollit mjekësor për popullatën.

Shërbimi i kontrollit mjekësor të qytetarëve për 10 vitet e shkuara është kryer me konçesion nga një kompani private e quajtur 3p life, pronarja përfituese e së cilës është biznesmenja Vilma Nushi.

Qytetarët shqiptarë paguan përmes buxhetit 8.76 miliardë lekë ose rreth 95 milionë euro me kursin aktual për këtë shërbim në 10 vitet që ai ofrohej nga koncesionari.

Një muaj më parë, qeveria njoftoi se me përfundimin e konçesionit, shërbimi do të kryhet nga shteti përmes Operatorit të Sterilizimit, i cili veç check up-it është ngarkuar të ofrojë edhe shërbimin e sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë dhe atë të hemodializës, edhe këto të konçesionuara më parë.

Operatori i Sterilizimit pritet të nisë ofrimin e shërbimit të kontrollit bazë mjekësore duke filluar nga tetori i këtij viti kur përfundon edhe konçesioni.

Përqëndrimi i ish konçesioneve tek Operatori i Sterilizimit e ka shndërruar këtë strukturë në një nga njësitë më të mëdha shpenzuese të buxhetit duke prokuroruar dhjetra milionë euro mallra ose shërbime në vit./kapital