Ballina Sport “Maradona nuk vuajti për orë të tëra”

“Maradona nuk vuajti për orë të tëra”

59
0

Gjyqi për vdekjen e legjendës së futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, është përfshirë në debate të forta pas dëshmisë së ekspertit mjeko-ligjor të mbrojtjes, Pablo Ferrari.

Ai dëshmoi në favor të neurokirurgut Leopoldo Luque, deklaroi se Maradona nuk kishte kaluar një agoni të zgjatur, siç pretendojnë ekspertët e prokurorisë.

Ferrari kundërshton në këtë mënyrë versionin sipas të cilit ish-kampioni i botës kishte vuajtur për orë të tëra, ndërsa kujdesi mjekësor në shtëpinë ku qëndronte në Tigre ishte neglizhuar.

Sipas ekspertit, Maradona pësoi një atak në zemër, aritmi dhe edemë akute pulmonare, e cila përfundimisht shkaktoi ndarjen nga jeta të 60-vjeçarit.

Por dëshmia e ekspertit shkaktoi reagime të forta edhe për një tjetër pretendim. Ferrari ngriti mundësinë që vdekja e Maradonës të ishte shkaktuar ose ndikuar nga Covid-19, duke argumentuar se ngjarja ndodhi në kulmin e pandemisë.

Kjo deklaratë shkaktoi zemërim te palët, të cilat kundërshtuan argumentet e ekspertit. Në këtë proces gjyqësor, neurokirurgu që operoi Maradonën në kokë dhe koordinoi ekipin mjekësor gjatë qëndrimit të tij në shtëpi, është një nga të pandehurit kryesorë.

Prokuroria pretendon se ish-futbollisti vdiq pas një agonie të zgjatur, si pasojë e mangësive të rënda në kujdesin mjekësor. Gjykata ka caktuar 29 shtatorin si datën e nisjes së konkluzioneve përfundimtare të palëve.

Procesi pritet të zgjasë disa javë, për shkak të pjesëmarrjes së pesë ekipeve të avokatëve të prokurorisë, prokurorit dhe shtatë ekipeve të mbrojtjes. Pas përfundimit të argumenteve, të pandehurit do të kenë mundësinë të bëjnë deklaratat e tyre të fundit, përpara se gjykata të shpallë vendimin final.