Ballina Ekonomia Rivlerësimi i pronës deri më 31 dhjetor, aplikimi online dhe tatimi 5%,...

Rivlerësimi i pronës deri më 31 dhjetor, aplikimi online dhe tatimi 5%, sa kushton procedura

82
0

Qytetarët që duan të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme kanë afat deri më 31 dhjetor 2026 për të përfituar nga procesi, i cili mund të kryhet online përmes platformës e-Albania.

Rivlerësimi u mundëson pronarëve të përditësojnë vlerën e pasurisë së tyre, duke paguar një tatim prej 5% mbi bazën e tatueshme të rivlerësimit. Procesi ka rëndësi veçanërisht për pronarët që parashikojnë shitjen apo kryerjen e transaksioneve të tjera me pronën, pasi vlera e rivlerësuar ndikon në bazën mbi të cilën llogaritet detyrimi tatimor në një transaksion të ardhshëm.

Aplikimi kryhet elektronikisht. Qytetari duhet të hyjë në e-Albania, të zgjedhë shërbimin “Rivlerësimi i pasurisë”, të plotësojë formularin përkatës dhe të dërgojë aplikimin. Më pas duhet të kryhet edhe pagesa e detyrimit përkatës.

Vlerësimi i pasurisë mund të realizohet në dy mënyra: nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme ose nga Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

Përveç tatimit 5%, aplikuesit duhet të paguajnë edhe tarifën e shërbimit, e cila ndryshon sipas vlerës. Për pasuritë me vlerë deri në 150 mijë lekë, tarifa është 3,500 lekë. Për intervalin nga 150,001 deri në 300 mijë lekë, tarifa është 7,000 lekë, ndërsa për vlerat mbi 300,001 lekë tarifa arrin në 10 mijë lekë.

Në rast se një qytetar kërkon të rivlerësojë më shumë se një pasuri, aplikimi dhe procedura duhet të kryhen veçmas për secilën pronë.

Sipas informacionit të publikuar për shërbimin, procedura përfundon brenda 5 ditëve nga konfirmimi i pagesës.

Rivlerësimi me normën 5% krijon mundësinë që pronarët të afrojnë vlerën fiskale të pronës me vlerën aktuale të saj dhe, në rast të një shitjeje të mëvonshme, të reduktojnë diferencën mes çmimit të shitjes dhe vlerës së regjistruar mbi të cilën përllogaritet tatimi.

Afati i fundit për kryerjen e procesit është 31 dhjetor 2026, çka u lë pronarëve më pak se tre muaj për të përfunduar procedurat përmes e-Albania.