Në vitin 1868, një burrë i brishtë dhe i shqetësuar hipi në një tren britanik me një valixhe që me rreth 9 kg eksploziv. Alfred Nobel nuk po udhëtonte për ta shpërthyer atë, por për ta shitur. Pas vitesh eksperimentesh, industrialisti suedez ishte gati të përfitonte nga shpikja e tij e patentuar së fundmi: dinamiti.
Shpikja e Nobelit shfrytëzoi fuqinë e paqëndrueshme të nitroglicerinës dhe përfaqësoi një hap gjigant përpara barutit, eksplozivi më i fuqishëm i përdorur për shekuj. Më i besueshëm, i transportueshëm dhe shumë më i fuqishëm, dinamiti ndihmoi në nxitjen e Revolucionit të Dytë Industrial dhe ndryshoi inxhinierinë civile, minierat, luftën dhe lëvizjet revolucionare.
I lindur në Stokholm në vitin 1833, Nobeli kaloi një pjesë të fëmijërisë në Shën Petersburg, ku babai i tij prodhonte municione dhe mina nënujore për ushtrinë ruse. Në moshën 17-vjeçare, Alfredi u dërgua në Paris, ku punoi në laboratorin e kimistit Théophile – Jules Pelouze dhe u njoh me Ascanio Sobrero, shpikësin e nitroglicerinës.
Nitroglicerina ishte shumë më e fuqishme se baruti, por kishte një problem të madh: shpërthente në mënyrë të paparashikueshme. Ishte jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj lëvizjeve dhe temperaturës. Pas dhjetëra aksidenteve, përdorimi dhe transporti i saj u ndaluan në disa vende.
Nobeli, megjithatë, pa potencialin e madh tregtar të saj nëse arrinte ta bënte të qëndrueshme. Eksperimentet e tij ishin aq të rrezikshme saqë shpërthyen dy herë laboratorin e tij. Një shpërthim në vitin 1864 vrau disa njerëz, mes tyre edhe vëllain e tij më të vogël, Emilin, dhe autoritetet e ndaluan Nobelin të kryente eksperimente brenda Stokholmit.
Dy zbulime e ndihmuan të zgjidhte problemin. I pari ishte kapsolla e shpërthimit, e cila mundësonte një detonim të kontrolluar. I dyti ishte përzierja e nitroglicerinës me kieselgur, një material i imët i përbërë nga mbetje algash të fosilizuara. Kjo krijonte një masë të qëndrueshme, të formueshme në shkopinj dhe të mbështjellë me letër.
Në vitin 1867, Nobel mori patentën për “dinamitin”, emër që rridhte nga fjala greke dynamis, që do të thotë “fuqi”.
Dinamiti ndryshon inxhinierinë
Dinamiti transformoi menjëherë ndërtimin. Në vend të barutit të rrezikshëm dhe joefikas, punëtorët kishin një eksploziv më të fuqishëm, më të sigurt dhe më të lehtë për t’u transportuar.
Ai bëri të mundur çarjen e shkëmbinjve dhe terreneve të vështira për ndërtimin e hekurudhave, kanaleve, urave, tuneleve dhe rrugëve. Projekte madhështore si Kanali i Panamasë, Ura e Bruklinit, metroja e Londrës dhe Diga Hoover u ndihmuan nga përdorimi i eksplozivëve të fuqishëm.
Në miniera, dinamiti u mundësoi punëtorëve të nxirrnin më shumë mineral me më pak punë. Qymyri, bakri, plumbi dhe hekuri, që ushqyen Revolucionin e Dytë Industrial, u nxorën më lehtë. Shpërthimi i depozitave të gipsit dhe gurit gëlqeror ndihmoi gjithashtu në zhvillimin e çimentos dhe betonit.
Ana shkatërruese
Nobeli shpresonte se dinamiti do të ndihmonte në ndërtim, por e kuptoi shpejt se mund të përdorej edhe për shkatërrim. Ai besonte se armët tepër shkatërruese mund të pengonin luftërat, pasi shtetet do të trembeshin nga pasojat.
Por kjo shpresë nuk u realizua. Vetëm pak vite pas shpikjes, dinamiti u përdor në Luftën Franko – Prusiane. Më vonë, ushtritë e përdorën për të shkatërruar rrugë, ura, kanale dhe diga, ndërsa eksplozivi u bë pjesë e minave, granatave, silurëve dhe predhave të artilerisë.
Dinamiti ishte gjithashtu i lirë, i lehtë për t’u transportuar dhe i thjeshtë për t’u përdorur, ndaj u bë armë e preferuar e anarkistëve dhe revolucionarëve. Në vitet 1880, grupe politike e përdorën për sulme ndaj objektivave qeveritare dhe civile. Në vitin 1881, një revolucionar vrau carin rus Aleksandër II me një bombë. Në trazirat e Heimarket në Çikago, në vitin 1886, një bombë me dinamit u hodh mes policisë, duke shkaktuar të shtëna dhe vdekje.
“Mbreti i dinamitit” dhe Çmimet Nobel
Deri në vitin 1895, Nobeli kishte grumbulluar një pasuri të jashtëzakonshme. Zotëronte 355 patenta dhe afro 100 fabrika eksplozivësh dhe municionesh.
Një vit para vdekjes, në 1896, ai ndryshoi testamentin duke lënë pjesën më të madhe të pasurisë për krijimin e çmimeve vjetore për njerëzit që i kishin sjellë “dobinë më të madhe njerëzimit” në fizikë, kimi, mjekësi, letërsi dhe paqe. Çmimet e para Nobel u dhanë në vitin 1901.
Një histori e njohur thotë se Nobeli u frymëzua pasi një gazetë e shpalli gabimisht të vdekur në vitin 1888 dhe publikoi një nekrologji që e quante “tregtar të vdekjes”. Edhe pse kjo nekrologji nuk është gjetur kurrë, Nobeli mund të ketë dashur të ndryshonte trashëgiminë e tij dhe të balanconte pasurinë e krijuar pjesërisht nga industria e luftës.
Kështu, shpikja që ndryshoi përgjithmonë luftën, ndërtimin dhe industrinë u bë gjithashtu burimi i një prej trashëgimive më të njohura të filantropisë në botë.







