Ballina Aktualitet Himara, “superfuqia” e re e tenderave: 5 mln euro për pedonalen, Vangjel...

Himara, “superfuqia” e re e tenderave: 5 mln euro për pedonalen, Vangjel Tavo e mbyll garën pa konkurrencë

150
0

500 milionë lekë në tavolinë, një projekt i rëndësishëm për Himarën dhe vetëm një ofertë për ta marrë atë. Kaq ka mjaftuar që Bashkia e Himarës, e drejtuar nga Vangjel Tavo, të shpallë fituesin e tenderit për ndërtimin e pedonales Spile–Saraçinko. Një kontratë me fond limit rreth 5 milionë euro pa TVSH është zhvilluar praktikisht pa konkurrencë, sepse në garë është paraqitur vetëm një bashkim operatorësh.

Himara, “superfuqia” e re e tenderave: 5 mln euro për

Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “CURRI”, “EC Pro Partners”, “SON Engineering & Construction” dhe “GeoENG”, me ofertë 467,6 lekë pa TVSH, ose rreth 94% të fondit limit. Pra, për një kontratë qindra milionëshe, nuk pati një ofertë të dytë që të ushtronte presion mbi çmimin. Nuk pati një rival që të ofronte më lirë. Në fund, Bashkia kishte përpara vetëm ofertën e një grupi operatorësh dhe vendosi të vijonte me të.

Himara, “superfuqia” e re e tenderave: 5 mln euro për

Himara, “superfuqia” e re e tenderave: 5 mln euro për

Ligji shqiptar nuk e bën automatikisht të pavlefshme një procedurë vetëm sepse paraqitet një operator. Por pikërisht mungesa e konkurrencës është një prej treguesve që kërkon vëmendje të shtuar në monitorimin e prokurimeve.

Dhe këtu nis pyetja, pse një kontratë me një fond kaq të madh nuk arriti të tërheqë më shumë se një ofertues?

Tenderi është konceptuar me formulën “çelësa në dorë”. Fituesi duhet të realizojë projektimin e detajuar teknik dhe më pas punimet. Dokumentacioni përcakton katër muaj për realizimin e projektit dhe 20 muaj për kryerjen e investimit.

Ky tender i shtohet një serie prokurimesh të Bashkisë së Himarës që ngrenë pikëpyetje për nivelin e konkurrencës dhe mënyrën se si po shpenzohen fondet publike. Nën drejtimin e Vangjel Tavos, Himara po administron një volum të pazakontë investimesh për përmasat e saj, duke u shndërruar në një superfuqi buxhetore lokale, me një portofol prokurimesh që po konkurron edhe Bashkinë e Tiranës.

Nga një tender te tjetri, konkurrenca mbetet e dobët

Vetëm pak javë më parë, Bashkia e Himarës zhvilloi tenderin për ndërtimin e ujësjellësit të Qeparoit, me fond limit rreth 166.6 milionë lekë pa TVSH.

Në atë procedurë pati tre oferta dhe kontrata përfundoi te kompania “NDREGJONI”, me 162.9 milionë lekë. Të dhënat publike konfirmojnë si fondin e procedurës, ashtu edhe kompaninë dhe vlerën fituese.

Një tjetër rast është rikonstruksioni i rrugës Qazim Pali–Plazh. Fondi limit ishte 133.3 milionë lekë dhe në procedurë u paraqitën tre oferta. Por nga tre ofertuesit, vetëm një arriti të kualifikohej. Kontrata përfundoi te “NG Structures” për rreth 131.9 milionë lekë, afërsisht 99% e fondit limit. Sipas të dhënave të publikuara për procedurën, oferta fituese ishte vetëm rreth 1% poshtë tavanit financiar, ndërsa dy operatorët e tjerë u skualifikuan për mosplotësim të kritereve të tenderit.

Pra, në letër ka pjesëmarrës. Në fund, konkurrenca reale reduktohet ndjeshëm.

I njëjti shqetësim shfaqet edhe në procedura të tjera të Bashkisë Himarë. Te tenderi për sistemimin e përrenjve, me fond limit rreth 41.2 milionë lekë, skualifikimi i njërit prej operatorëve la vetëm një ofertë në garë. Ndërsa në tenderin për godinën e shërbimit zjarrfikës, sipas dokumentacionit të procedurës, konkurrenca u kufizua që në nisje në një ofertues të vetëm.

Përsëritja e procedurave me një ofertues, skualifikimet që reduktojnë garën dhe kontratat që përfundojnë pranë fondit limit janë tregues që meritojnë transparencë dhe një vëmendje të shtuar nga institucionet përgjegjëse.

Pikëpyetjet bëhen edhe më të rëndësishme kur shihet volumi i parave që po kalojnë nëpër prokurimet e kësaj bashkie.

Vetëm lista e procedurave të publikuara gjatë verës së vitit 2026 tregon investime të konsiderueshme, 500 milionë lekë për pedonalen Spile–Saraçinko, 500 milionë të tjera për rehabilitimin e fasadave në Dhërmi, mbi 208 milionë për rrugën Piqeras–Shkallë, rreth 167 milionë për ujësjellësin e Qeparoit dhe dhjetëra milionë lekë për projekte të tjera.

Kjo e ndryshon edhe peshën e problemit. Sepse sa më shumë para publike të administrohen, aq më e madhe bëhet rëndësia e konkurrencës reale. Edhe disa pikë përqindjeje diferencë në një tender prej qindra milionë lekësh mund të përkthehen në miliona lekë të kursyera ose të shpenzuara nga buxheti.

Në fund, Himara mund të jetë një bashki e vogël në hartën e Shqipërisë, por në hartën e tenderave po luan gjithnjë e më shumë si e madhe. Milionat shtohen, fondet fryhen dhe konkurrenca, në raste si pedonalja Spile–Saraçinko, arrin luksin të mungojë fare.

Dhe nëse milionat vazhdojnë të vërshojnë me këtë metodë, Vangjel Tavos nuk i duhet ta zmadhojë territorin e Himarës për të konkurruar Tiranën, mjafton të vazhdojë të zmadhojë hartën e tenderave me konkurrencën të mbetur rrugës./VNA