Ballina Bota Merr veten në qafë kush e takon/ Shtëpia e Bardhë i...

Merr veten në qafë kush e takon/ Shtëpia e Bardhë i kërkon Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga posti i ambasadores në Greqi

161
0

Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga detyra e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas publikimit të një raportimi në gazetën “The Wall Street Journal”, sipas të cilit ajo kishte kërkuar një pagesë prej 100 mijë dollarësh nga një donator i Donald Trump.

“Ne i kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një aset i çmuar për ekipin dhe i urojmë gjithë të mirat”, deklaroi të martën zëdhënësja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia.

Sipas raportimit të publikuar javën e kaluar nga “The Wall Street Journal”, Guilfoyle kishte kërkuar që shuma prej 100 mijë dollarësh t’i transferohej në llogarinë e saj të American Express, vetëm pak ditë para seancës së konfirmimit për postin diplomatik.

Gazeta, duke iu referuar mesazheve tekst që ka shqyrtuar, raportoi se Guilfoyle i kishte kërkuar pagesën Eric Deters, një donator i Trump dhe ish-kandidat për Kongresin amerikan. Gjatë komunikimeve, ajo kishte vënë në dukje lidhjet e saj me administratën Trump dhe kishte shprehur gatishmërinë për të ndërhyrë në interes të tij pranë Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS) dhe Departamentit të Drejtësisë.

Sipas të njëjtit raportim, Guilfoyle i kishte premtuar Deters se do të ishte në krah të tij “përgjithmonë”, duke përdorur shprehjen “Trump ride or die, forever and ever”, nëse ai do të siguronte shumën e kërkuar. Megjithatë, Deters nuk e kreu pagesën, duke i thënë asaj se kjo do t’i kushtonte martesën.