Ballina Lifestyle Emri i madh i boksit shihet duke kërkuar ushqim në mbeturina

Emri i madh i boksit shihet duke kërkuar ushqim në mbeturina

139
0

Shihet Felix Savon, tre herë kampion olimpik në boks, duke kërkuar ushqim në një enë. Pamjet janë publikuar nga boksieri profesionist kubanez, Gustavo Trujillo, ndërsa ende nuk dihet se ku dhe kur janë regjistruar. Ndërsa ish-boksieri përgjigjet: “Po mbledh ushqim, diçka për të ngrënë”. Pas përhapjes së pamjeve, komediani kubanez Limay Blanco i ka dhuruar Savonit një pako me ushqime dhe një Bibël, të dërguara nga kisha e tij, “Cristo Cambia Vidas”.

“Çfarëdo që të ketë bërë ai person, ndihmojeni dhe vazhdoni përpara”, ka deklaruar Blanco.

Savon konsiderohet një nga boksierët më të mëdhenj në historinë e boksit amator. Ai fitoi tri medalje të arta olimpike radhazi, në Barcelonë më 1992, Atlanta më 1996 dhe Sydney më 2000. Një arritje të tillë në boks e kanë realizuar vetëm dy sportistë të tjerë: bashkëkombësi i tij Teofilo Stevenson dhe hungarezi Laszlo Papp.

Përveç tri medaljeve të arta olimpike, Savon fitoi edhe gjashtë tituj botërorë, katër medalje të arta në Kupën e Botës dhe disa trofe të rëndësishëm në garat panamerikane dhe ato të Amerikës Qendrore e Karaibeve. Ai nuk u bë kurrë boksier profesionist.

Sipas raportimeve, Savon kishte refuzuar oferta milionëshe për t’u përballur me legjendën e boksit, Mike Tyson, pasi boksi profesionist ishte i ndaluar në Kubë. Megjithatë, emri i tij është përmendur edhe në raportime për akuza serioze.

Në vitin 2018, gazetari i pavarur kubanez Abraham Jimenez Enoa raportoi në revistën “Gatopardo” se Savon ishte ndaluar nga autoritetet, nën dyshimin për abuzim seksual ndaj një të mituri 12-vjeçar.

Sipas raportimit, denoncimi ishte bërë nga familja e fëmijës. Autoritetet kubane nuk kanë publikuar zyrtarisht detaje të plota për rastin, procesin gjyqësor apo ndonjë vendim të mundshëm të gjykatës.