Ballina Aktualitet Besim Ndregjoni u drejtohet ambasadorëve: Duhet të reagoni ndaj dhunës policore dhe...

Besim Ndregjoni u drejtohet ambasadorëve: Duhet të reagoni ndaj dhunës policore dhe të mbështesin kërkesat e studentëve

84
0

Kreu i Unionit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Besim Ndregjoni u ka drejtuar një mesazh ambasadorëve të huaj në Tiranë, lidhur me situatën e krijuar nga revolta studentore, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në reagimin e tij, Ndregjoni kritikon atë që e cilëson si heshtje të ambasadave gjatë 137 ditëve të protestës paqësore dhe u kërkon përfaqësuesve diplomatikë të reagojnë ndaj dhunës policore dhe të mbështesin kërkesat e studentëve.

Ai u bën thirrje ambasadorëve të mos mjaftohen me apelet për distancim nga dhuna, por të mbajnë qëndrim edhe ndaj veprimeve të qeverisë. Ai kërkon gjithashtu bojkotimin e qeverisë shqiptare, duke e cilësuar situatën si një përballje mes kërkesës për liri dhe asaj që ai e quan shtypje të protestës studentore.

Mesazhi i plotë
Edi Rama po na vret lirinë e shqiptarëve, zotërinj ambasadorë!

Ambasadat e huaja po u kërkojnë shqiptarëve të distancohen nga dhuna. E saktë! Por pse heshtët ndaj 137 ditëve të protestës paqësore, kur nuk kishte dhunë dhe protestuesit përballeshin me përçmimin e diktatorit Edi Rama? Pse nuk e dënuat përçmimin e diktatorit? Përse nuk e dënoni dhunën e policisë? Apo edhe në vendet tuaja demokratike përdorni dy standarde, përkrahni dhunën e pushtetit diktatorial dhe penalizoni protestat e studentëve që kërkojnë lirinë e tyre?

Keni 14 vite që mbështesni një diktator si Edi Rama dhe qeverisjen e tij të korruptuar. Kur media ndërkombëtare mbështeste protestën paqësore, juve, të nderuar ambasadorë, ju kishte kapur heshtja!

Liria për ne shqiptarët është shenjtëria e jetës sonë. Kemi kaluar një diktaturë aq të egër dhe tragjike, saqë edhe sot nuk na është tharë gjaku i plumbave të saj. Ju drejtohemi që të na përkrahni për të instaluar demokracinë në vendin tonë dhe jo pasuesit e diktatorit Hoxha, i cili, fatkeqësisht, erdhi në pushtet me dhunimin e votës së lirë dhe me përkrahjen tuaj.

Por, ju lutem, na këshilloni se çfarë të bëjmë kur qeveria shqiptare është diktatoriale dhe nuk dëgjon popullin e saj! Ju lutemi, si miq, ne shqiptarët do ta gjejmë vetë zgjidhjen dhe do ta mbrojmë demokracinë përballë diktaturës së diktatorit stalinist Edi Rama, i fundit në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore!

Pushteti i këtij diktatori është kthyer në pranga dhe poshtërim publik ndaj studentëve të lirisë!

Ne presim jo vetëm mbështetje nga ju, zotërinj ambasadorë, por edhe bojkot ndaj një qeverie që shtyp me dhunën policore studentët që kërkojnë liri si qytetarët e Europës!

Besim Ndregjoni

President i Unionit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë