Juristi Rezart Kthupi, i ftuar në nje studio televizive, ka komentuar protestat e të rinjve, duke theksuar se ato lidhen jo vetëm me problematikat në arsim, por edhe me mungesën e shpresës dhe të perspektivës për të ardhmen në Shqipëri.
Sipas Kthupit, protesta është një akt emocional që lind kur të rinjtë humbasin besimin se mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend. Ai e krahasoi situatën aktuale me lëvizjet e të rinjve në vitet ’90, kur një brez vendosi të luftonte për ndryshimin e sistemit.
“Ti del në protestë kur fillon të të mungojë shpresa. Dhe kjo është një përsëritje e asaj që ka ndodhur në ’90-ën, kur një brez tjetër të rinjsh vendosën të luftonin për shpresë”, u shpreh Kthupi.
Ai argumentoi se sistemi i krijuar pas ndryshimeve të viteve ’90 nuk u ofron sot të rinjve perspektivën që ata kërkojnë. Sipas tij, shqetësimet e tyre shkojnë përtej cilësisë së shkollave, kushteve në konvikte apo mësimdhënies dhe lidhen me mundësitë për të ndërtuar një jetë në Shqipëri.
“Që do të thotë, ti si i ri shqiptar e mendon dot, e parashikon dot si do jetosh në Shqipëri pas pesë viteve apo 10 viteve të ardhshme? Dhe nëse ti nuk arrin ta krijosh këtë ëndrrën, ti nuk mund të jetosh në Shqipëri”, tha juristi.
Në vlerësimin e Kthupit, momenti aktual është veçanërisht i rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve. Ai paralajmëroi se nëse protestuesit nuk arrijnë të realizojnë qëllimet e tyre dhe lëvizja shuhet, vendi rrezikon të humbasë një brez të tërë, ndërsa përpjekjet për ndryshim mund të shtyhen për dekada.
“Ka dy rrugë. Ose këto do fitojnë ose nëse këta do thyhen, ne do humbim një brez 30-vjeçar dhe do presim mbas 30 vjetësh brezin tjetër që të bëjë betejën e radhës. Kështu që jemi në një pikë shumë sensitive. Pse? Sepse këta duhet të fitojnë patjetër”, përfundoi Kthupi.







