Ballina Opinion Sherri në Parlament, spektakël politik i mazhorancës dhe opozitës për të ruajtur...

Sherri në Parlament, spektakël politik i mazhorancës dhe opozitës për të ruajtur monopolin e pushtetit

61
0

Nga Fitim Zekthi

Skenat e sotme në Parlamentin shqiptar tregojnë vetëm ankthin e thellë të partive politike shqiptare. Ankth i shkaktuar nga humbja totale e besimit të njerëzve tek to dhe nga frika e humbjes së monopolit të pozitës dhe opozitës.

Revolta e shoqërisë shqiptare, njerëzit që janë në revoltë dhe ata që e përkrahin atë, njerëzit që janë të pakënaqur deri në revoltë kundër qeverisjes dhe kundër sistemit politik shqiptar, janë sot forca më e madhe politike në Shqipëri.

Kjo i ka bërë dy partitë të shpërthejnë në një skenë spektakli sherrnaje, jo sepse njëra ka më shumë dhembshuri se tjetra për shqiptarët e vuajtur apo të dhunuar, as sepse tjetra ka një urrejtje të vërtetë për korrupsionin, luksin dhe pasurinë e fituar me pushtet dhe kalbëzimin e politikës. Ato shpërthejnë në këto skena sepse, nëpërmjet këtij shpërthimi, mund të ruajnë, duan të ruajnë monopolin mbi pozitën dhe opozitën, duan të ruajnë statuskuonë, duan të tërheqin vëmendjen dhe duan t’i thonë shoqërisë shqiptare se nuk ka nevojë që ajo të përfaqësohet nga një politikë tjetër.

Shqipëria i ka përfaqësuesit e vet. I ka njerëzit që zihen, shahen e rrihen për popullin e gjorë, që janë gati të sakrifikohen për të. Prandaj populli duhet të rrijë i qetë, madje të shkojë në shtëpi.

Ishte jo vetëm perverse, por edhe diabolike e gjitha, por njëkohësisht ishte shumë profesioniste, shumë e koordinuar në mënyrë të vetvetishme si strategji. Sigurisht që ishte edhe një tmerr, një lemeri, një shëmti.