Administrata Tatimore njoftoi se ka fshirë 453 milionë euro borxhe të bizneseve në zbatim të Ligjit të Faljes, që qeveria ndërmorri për zjedhjet e vitit të kaluar.
Pjesën më të madhe të detyrimeve të fshira ose të shuara e zë tatimi mbi fitimin (rreth 138.4 milionë euro), i ndjekur ngushtë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me rreth 137.4 milionë euro.
Kontributet e sigurimeve shoqërore zënë rreth 40 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër u takon kategorive si tatimi i thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimi i mbajtur në burim.
Nga kjo skemë deri më tani kanë përfituar mbi 220 mijë tatimpagues, duke përfshirë si bizneset e mëdha dhe të vogla, ashtu edhe individët.
Procesi i faljes dhe shuarjes së detyrimeve është ende aktiv në sportelet e tatimeve dhe platformat elektronike. Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë tatimpaguesve që kanë ende detyrime të prapambetura të shfrytëzojnë këtë dritare ligjore, e cila jo vetëm që u lehtëson barrën e vjetër administrative, por gjithashtu ndihmon në rritjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.
Opozita e ka denoncuar me forcë këtë operacion masiv financiar, duke e cilësuar si një skemë të pastër korruptive dhe të paligjshme për blerje votash në prag të zgjedhjeve.
Sipas përfaqësuesve të saj, fshirja e qindra milionë eurove detyrime, veçanërisht për bizneset e mëdha, u përdor nga qeveria si një stimul elektoral i kamufluar për të siguruar mbështetje financiare dhe vota përmes presionit dhe favoreve selektive fiskale.







