Ballina Aktualitet I akuzuari si trafikant Taulant Balla presion gjyqësorit për të futur qytetarët...

I akuzuari si trafikant Taulant Balla presion gjyqësorit për të futur qytetarët në burg, kundërpërgjigjen prokurorët, i kërkojnë të mos përfshihet në vendimet e drejtësisë

61
0

I akuzuar nga opozita për lidhje me trafikantë dhe eksponentë të krimit të organizuar, Taulant Balla është vënë sërish në qendër të debatit publik, këtë herë për shkak të presionit ndaj prokurorisë lidhur me arrestimet pas protestave në Tiranë. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kritikoi prokurorin Arbër Berexha, duke pretenduar se ai ka lidhje politike me Partinë Demokratike, ndërsa kërkoi edhe ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Këto deklarata kanë sjellë reagimin e Shoqatës së Prokurorëve, e cila i kërkon Ballës të mos ushtrojë presion mbi magjistratët dhe të mos ndërhyjë në vendimmarrjen e tyre.

Deklarata e plotë:

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike të deputetit Taulant Balla lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave. Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës. Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.

Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjen e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik.

Duhet sqaruar për opinionin publik edhe se urdhrat e prokurorit për lirimin e menjëhershëm, kur konstatohen arrestime të kryera në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë vendime për pushimin e çështjes. Këta urdhra kanë objekt ligjshmërinë e heqjes së lirisë dhe nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përgjegjësisë penale. Sipas nenit 257 të Kodit të Procedurës Penale, në rastet e parashikuara nga kjo dispozitë, lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit është detyrim ligjor i prokurorit. Çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo.”