Ballina Ekonomia Shteti të bllokon shtëpinë në Kadastër/ Zbardhet vendimi i ri i qeverisë...

Shteti të bllokon shtëpinë në Kadastër/ Zbardhet vendimi i ri i qeverisë që pritet të gjobisë dhe ndëshkojë mijëra qytetarë

95
0

Pronarët e apartamenteve që nuk paguajnë tarifat e administrimit të pallateve mund të përballen me kamatëvonesa të larta, procedura përmbarimore dhe deri në kufizimin e pronës në Kadastër. Rregullorja e re e miratuar nga qeveria, e botuar në Fletoren Zyrtare të 23 tetorit, detajon mënyrën e zbatimit të detyrimeve financiare dhe rregullat për administrimin e ndërtesave të banimit.

Pagesa e tarifës së administrimit nuk është një detyrim i ri për qytetarët. Ajo parashikohej që në ligjin e vitit 2009, por kuadri ligjor i miratuar në vitin 2025 ka forcuar ndjeshëm masat ndaj pronarëve që nuk shlyejnë detyrimet. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kamatëvonesën, e cila nga 10% e tarifës mujore në legjislacionin e mëparshëm, është rritur në 30% për çdo muaj vonesë.

Risia më e rëndësishme lidhet me mundësinë e kufizimit të pronës në Kadastër. Sipas rregullave të reja, administratori mund të kërkojë vendosjen e kufizimit kur një pronar nuk ka paguar tarifat për të paktën 12 muaj, ose kur detyrimi i papaguar arrin të paktën 0.5% të vlerës së apartamentit. Në këto raste, pas ndjekjes së procedurave ligjore, prona nuk mund të shitet, transferohet apo të ngarkohet me barrë deri në shlyerjen e detyrimeve.

Vendosja e kufizimit nuk është automatike. Kryesia e pallatit duhet të marrë një vendim me shumicë të cilësuar, ndërsa pronari duhet të njoftohet me shkrim të paktën 10 ditë përpara marrjes së tij. Kadastra ka 15 ditë për regjistrimin e kufizimit, pas paraqitjes së dokumentacionit të kërkuar. Pas shlyerjes së borxhit dhe depozitimit të vërtetimit bankar, kufizimi hiqet brenda pesë ditëve.

Rregullorja përcakton gjithashtu se tarifa mujore duhet të paguhet edhe kur apartamenti është bosh, nuk përdoret nga pronari apo është dhënë me qira. Masa e tarifës vendoset nga asambleja e bashkëpronarëve, ndërsa në mungesë të dakordësisë zbatohet tarifa e referencës e miratuar nga këshilli bashkiak. Njësitë që përdoren për veprimtari tregtare duhet të paguajnë tarifa më të larta se apartamentet e banimit.

Një tjetër ndryshim lidhet me forcimin e administrimit financiar të pallateve. Parashikohet krijimi i llogarive bankare për mbledhjen e tarifave dhe administrimin e fondit rezervë, i cili do të përdoret për mirëmbajtjen, riparimet dhe ndërhyrjet emergjente. Bashkitë marrin gjithashtu përgjegjësi për mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve të mirëmbajtjes së ndërtesave.

Rregullorja e re, e cila hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, synon të formalizojë më tej administrimin e pallateve dhe të garantojë mbledhjen e fondeve të nevojshme për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Ajo konkretizon dispozitat e ligjit të vitit 2025, duke përcaktuar procedura më të qarta për detyrimet financiare, përgjegjësitë e administratorëve dhe të drejtat e bashkëpronarëve.