Ballina Kulturë Luljeta Lleshanaku nderohet me çmimin Horst Bienek nga Akademia Bavareze e Arteve...

Luljeta Lleshanaku nderohet me çmimin Horst Bienek nga Akademia Bavareze e Arteve të Bukura në Gjermani

47
0

Me 20 Tetor në mbrëmje, Akademia Bavareze e Arteve të Bukura (Bayerische Akademie der Schönen Künste) në Mynih, Gjermani, shpalli poeten Luljeta Lleshanakun fituese të çmimit Horst‑Bienek 2026.

Çmimi Horst Bienek për Poezinë (Horst-Bienek-Preis für Lyrik) është një çmim letrar ndërkombëtar, që mban emrin e romancierit dhe poetit Horst Bienek dhe u jepet poetëve si vlerësim për veprën e plotë. Ai u themelua në vitin 1991, fillimisht një herë në vit, dhe një herë në dy vjet duke filluar nga viti 2010. Disa nga fituesit më të njohur të këtij çmimi në vite janë: John Ashbery (1991),Tomas Tranströmer (1992), Robert Creeley (1993), Seamus Heaney(1994), Inger Christensen(1998), Adam Zagajewski(2002), Charles Simic (2003), Yves Bonnefoy(2007) dhe fituesja e fundit Agi Mishol (2024). Ky çmim shoqërohet me një vlerë monetare prej 10,000 Euro. Çmimi inkurajues prej 5,000 Eurosh iu dha poetes ukrainase Halyna Kruk. Ceremonia e dorëzimit të çmimit do të mbahet me 2 dhjetor në Mynih.

Sipas argumentit të jurisë të përbërë nga Daniela Danz, Wolfgang Matz, Holger Pils, Elisa Primavera-Lévy, Beate Tröger dhe Jan Wagner: “Luljeta Lleshanaku shkruan poezi me një qartësi të madhe, në të cilat kujtesa vetjake dhe përvoja historike gërshetohen në mënyrë të pandashme. Gjuha e saj është e saktë dhe e përmbajtur, por mbart një tension të veçantë, i cili bën që e përditshmja të kalojë papritur në rrafshin ekzistencial. Me një ndjeshmëri të mprehtë ndaj thyerjeve, humbjeve dhe pasojave të dhunës politike, ajo bën të dukshme mënyrën se si historia gdhendet në trup, marrëdhënie dhe histori jetësore. Krijimtaria e saj përbën një nga zërat më të spikatur në poezinë bashkëkohore evropiane dhe meriton vëmendje shumë më përtej botës shqipfolëse.”
Deri tani, Lleshanaku ka dy përmbledhje me poezi të botuaranë gjuhën gjermane nën përkthimin e Andrea Grill: “Kinder der Natur” (Edition Korrespondenzen, 2010)“) dhe “Die Stadt der Äpfel (Carl Hanser Verlag GmbH, 2021).