Ballina Bota ​Lufta me Iranin, SHBA në gatishmëri të lartë pas paralajmërimeve nga inteligjenca

​Lufta me Iranin, SHBA në gatishmëri të lartë pas paralajmërimeve nga inteligjenca

44
0

Irani ndodhet në një fazë të avancuar të përgatitjeve për sulme kundër qytetarëve dhe zyrtarëve amerikanë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në pjesë të tjera të botës, përfshirë Evropën, paralajmërojnë agjencitë amerikane të inteligjencës.

Uashingtoni ka rritur nivelin e gatishmërisë së sigurisë dhe ka urdhëruar tërheqjen e një pjese të personelit diplomatik nga Arabia Saudite, si dhe reduktimin e stafit në disa misione të tjera diplomatike në rajon, raporton New York Times.

Paralajmërimi i është përcjellë të premten sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, nga drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton. Në një memorandum, ai thekson se Irani i ka intensifikuar aktivitetet e drejtuara kundër personelit amerikan.

“Kemi marrë informacione që tregojnë se Irani i ka shtuar përpjekjet e tij kundër personelit amerikan. Përgatitjet iraniane për sulme vdekjeprurëse ndaj qytetarëve amerikanë kanë arritur në një fazë të avancuar, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në vende të tjera”, thuhet në dokument.

Një zyrtar amerikan e konfirmoi ekzistencën e këtij memorandumi. Sipas New York Times, agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se kërcënimi ndaj qytetarëve amerikanë ndodhet në nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës me Iranin në muajin shkurt.

Presidenti Donald Trump dhe ndihmësit e tij më të afërt marrin rregullisht raporte nga shërbimet e inteligjencës lidhur me kërcënimet në rritje, sipas zyrtarëve të njohur me situatën.

Gjatë tri javëve të fundit, analistët kanë shqyrtuar informacione që kanë të bëjnë me sulme të mundshme ndaj zyrtarëve amerikanë, përfshirë ambasadorët.

Sipas një burimi për New York Times, disa të dhëna të inteligjencës sugjerojnë se Irani mund të ketë operativë në territorin e SHBA-së.

Zyrtarët amerikanë deklarojnë se planet iraniane përmendin gjithashtu objektiva të mundshëm në Evropë. Megjithatë, një zyrtar tjetër amerikan theksoi se ekziston një dallim midis qëllimeve të Iranit dhe kapacitetit të tij real për t’i realizuar ato. Ai vlerëson se aftësia e Teheranit për të kryer sulme brenda Shteteve të Bashkuara ose në vende të tjera të largëta është e kufizuar.

Deri më tani, nuk është bërë i ditur asnjë informacion lidhur me objektiva, qytete apo vende specifike ku mund të ndodhin sulme të tilla. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga New York Times, ndërsa Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe CIA refuzuan të komentojnë mbi këto informacione.

Të mërkurën, Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi stafin jo-thelbësor në misionet diplomatike të largohen nga Arabia Saudite. Gjithashtu, po reduktohet numri i personelit në ambasadat amerikane në Jordani, Liban, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këto paralajmërime vijnë pothuajse tetë muaj pas fillimit të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt me goditje ndaj objektivave iraniane.

Konflikti ka shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve të energjisë dhe çrregullime ekonomike në shkallë globale. Për më tepër, zgjatja e tij është shndërruar në një çështje të rëndësishme të politikës së brendshme për Trump në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA më 3 nëntor.

Sipas New York Times, Uashingtoni dhe Izraeli kanë hartuar plane për një valë të re sulmesh kundër Iranit pas zgjedhjeve, por Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.