Plagosja e rëndë që mori ditën e djeshme tifozi i Kombëtares, Erjon Vishkulli, ka solidarizuar çdo shqiptar. Ngjarja ndodhi teksa Erjoni ishte pjesë e protestës studentore në Tiranë, ndërsa u godit me plumb gome në sy, e ku rrezikon të humbasë shikimin.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përmes postimit në rrjetet sociale, bën të ditur se Federata është e gatshme ta ndihmojë tifozin me hapa konkretë për specializim, aty ku qëllimi kryesor është që Erjoni të mos humbasë shikimin në syrin e majtë.
“Më ka prekur thellë plagosja e rëndë e Erjon Vishkullit, pjesëtar i tifozëve “Kuq e Zi” dhe mbështetës i përkushtuar i Kombëtares sonë.
Në këtë moment të vështirë, i shpreh Erjonit dhe familjes së tij afërsinë dhe solidaritetin tim. Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme të ofrojë ndihmë konkrete për trajtimin dhe rikuperimin e tij, në koordinim me familjen.
Erjoni ka qenë pranë Kombëtares me zemër e pasion. Sot, familja kuqezi është pranë tij. Nga zemra, shërim sa më të shpejtë, Erjon”, mesazhi i presidentit Duka.







