Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ngritur dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura gjatë fundjavës në Brazil, duke deklaruar se ato dukeshin të manipuluara, por pa paraqitur asnjë provë për pretendimet e tij.
Deklaratat e Trumpit erdhën pasi presidenti i majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, mposhti kandidatin e krahut të djathtë, Flávio Bolsonaro.
Duke folur para gazetarëve të hënën, Trump tha se procesi zgjedhor “dukej i tmerrshëm” dhe se i ngjante “një tjetër palë zgjedhjesh të manipuluara”.
“Unë nuk mbajta anë”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet për rezultatin e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet duhet të jenë të pakontestueshme dhe mua më dukeshin shumë keq”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Flávio Bolsonaro fillimisht refuzoi ta njihte fitoren e Lulës, duke deklaruar se ishte “e pamundur” të pranohej rezultati dhe se zgjedhjet duhej të anuloheshin. Megjithatë, më vonë ai njoftoi se do të angazhohej për organizimin e opozitës.
Në një video të publikuar të hënën në rrjetet sociale, Bolsonaro pretendoi gjithashtu se autoritetet ia kishin ndaluar largimin nga Brazili dhe se kishte marrë një njoftim zyrtar për dorëzimin e pasaportave.
Trump e kishte pritur më herët gjatë këtij viti në Shtëpinë e Bardhë Flávio Bolsonaron, djalin e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, duke e përshkruar atë si “një të ri inteligjent që e do shumë vendin e tij, Brazilin”.
Administrata Trump ka përshëndetur së fundmi një valë fitoresh të kandidatëve të djathtë në zgjedhjet e mbajtura në Amerikën e Jugut.
“Në Amerikën e Jugut, gjithçka po anonte fuqishëm nga e majta. Tani gjithçka është në të djathtë”, deklaroi Trump javën e kaluar.
“Kam mbështetur shumë prej këtyre njerëzve. Secili prej atyre që kam mbështetur ka fituar”, shtoi presidenti amerikan.







