Ballina Europë Festë Halloween-i përfundon në tmerr në Angli, pesë adoleshentë goditen me thikë

Festë Halloween-i përfundon në tmerr në Angli, pesë adoleshentë goditen me thikë

65
0

Tre 16-vjeçarë dhe dy 17-vjeçarë mbetën të plagosur rëndë pas një sulmi me thikë në një festë në Chandler’s Ford. Policia ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshmitarë.

Një festë e Halloween-it në Angli ka përfunduar në një ngjarje të rëndë, pasi pesë adoleshentë janë plagosur rëndë nga sulmet me thikë.

Policia njoftoi se oficerët u thirrën në Park Road, në Chandler’s Ford, pranë qytetit Eastleigh, pak pas orës 22:30 të së shtunës, pas raportimeve për një incident të dhunshëm.

Të plagosurit janë tre djem 16-vjeçarë dhe dy adoleshentë 17-vjeçarë, të cilët u dërguan me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Sipas Policisë së Hampshire, dyshohet se një grup personash të panjohur ka hyrë në një shtëpi ku po mbahej festa, para se të ndodhnin sulmet me thikë.

Ndërkohë, autoritetet u kanë bërë thirrje dëshmitarëve dhe të gjithë personave që kanë informacione për rastin që të kontaktojnë policinë.

Të dielën, zona përreth vendit të ngjarjes vazhdonte të ishte e rrethuar nga forcat e rendit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit ishin në zhvillim.

Inspektorja kryesore e hetimit, Elizabeth Pirie, ka shprehur shqetësimin për ndikimin që kjo ngjarje ka pasur te banorët e zonës, duke falënderuar komunitetin për durimin dhe bashkëpunimin.

Një dëshmitar okular i tha BBC-së se në vendngjarje kishin mbërritur disa autoambulanca, si dhe një helikopter mjekësor.

Ndërkaq, një tjetër dëshmitar tregoi se kishte parë një person duke dalë me vrap nga shtëpia ku zhvillohej festa, duke bërtitur se ishte goditur me thikë dhe se po ndiqej nga dy persona.