Detaje nga dosja hetimore e SPAK, të trajtuara në emisionin “Në Shënjestër”, hedhin dritë mbi mënyrën se si është projektuar dhe investuar vila 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, për të cilën prokurorët dyshojnë se i përket Belinda Ballukut.
Në komunikimet elektronike të administruara nga hetuesit, ish-zv.kryeministrja shfaqet si kliente e studios së arkitekturës “Atelier 4”, e cila merrej me përshtatjen e vilës sipas kërkesave të saj.
Sipas dosjes, më 14 shtator 2020, arkitekti Alban Eftimi i ka dërguar Ballukut një email me propozime për projektin. Në të përshkruhen detaje të ndryshme të vilës, nga shkallët me gjelbërim kacavjerrës, te pishina infinity me hapësirë për tavolinë ngrënieje, tarraca e veshur me dru teak dhe ambientet e përshtatura për një standard luksoz.
Në projekt parashikohej gjithashtu vendosja e vaskave me hidromasazh në të dy krahët e ndërtesave, ndërsa arkitekti i referohej hotelit “Roccabella” në Santorini si model për këtë element të projektimit.
“Investitori e ka shumë të rëndësishëm zbatimin me përpikmëri të projektit”, thuhej në një tjetër komunikim të cituar në dosje.
SPAK ka administruar edhe komunikime të tjera ku diskutohet për ndryshime strukturore në dy vilat ngjitur, numrat 187/2 dhe 188/1, si dhe për ndërtimin e pishinës dhe ambienteve të tjera luksoze.
Sipas hetimeve, këto komunikime tregojnë se Balluku ishte e përfshirë në diskutimet për projektimin dhe përshtatjen e vilës, ndërsa emri i saj shfaqet në komunikimet me studion e arkitekturës si klientja për të cilën po realizohej projekti.







