Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka konfirmuar se do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, pavarësisht nëse do të arrijë të sigurojë mbështetjen e të gjitha forcave opozitare.
I ftuar në News24, Binaj deklaroi se mbetet i vendosur për të hyrë në garën për drejtimin e kryeqytetit si kandidat i pavarur, duke kërkuar bashkëpunimin e partive opozitare.
“E konfirmoj pa diskutim kandidimin. I qëndroj asaj që kam thënë në nëntorin e kaluar, kur u anuluan zgjedhjet”, u shpreh Binaj.
Ai theksoi se u ka ofruar bashkëpunim të gjitha forcave opozitare, me synimin për të krijuar një front të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.
“Jam kandidat i pavarur që ua kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive të opozitës, për të krijuar një bashkëpunim që ka të njëjtin qëllim, por mënyra të ndryshme”, deklaroi ai.
Konfirmimi i Binajt vjen në një moment kur brenda opozitës vijojnë diskutimet për emrin që do të përfaqësojë kampin opozitar në garën për Bashkinë e Tiranës.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka shprehur publikisht sot preferencën për Ilir Alimehmetin, të cilin e ka cilësuar një kandidaturë serioze për kryeqytetin.
Megjithatë, Binaj ka bërë të qartë se nuk tërhiqet nga ambicia për Bashkinë e Tiranës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse partitë opozitare do të arrijnë një marrëveshje për një kandidaturë të përbashkët.







