Ballina Lifestyle Lindsey Vonn përgatitet për operacionin e nëntë, skiatorja shfaqet mahnitëse para një...

Lindsey Vonn përgatitet për operacionin e nëntë, skiatorja shfaqet mahnitëse para një tjetër periudhe të vështirë rikuperimi

38
0

Lindsey Vonn po përballet me një tjetër etapë të vështirë në procesin e gjatë të rikuperimit pas aksidentit të rëndë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina, më 8 shkurt. Legjenda amerikane e skive ka bërë të ditur se do t’i nënshtrohet ndërhyrjes së nëntë kirurgjikale që prej rrëzimit dramatik, ndërsa më pas e pret një periudhë rikuperimi që mund të zgjasë nga gjashtë deri në nëntë muaj.

Para se të rikthehej në sallën e operacionit, 42-vjeçarja mori pjesë në mbrëmjen gala LACMA Art+Film në Los Angeles, ku u shfaq elegante dhe mahnitëse. Ajo ndau disa fotografi në rrjetet sociale, duke shoqëruar postimin me një mesazh domethënës: “Mbrëmja e fundit me këpucë me taka për njëfarë kohe… duhej ta shijoja në maksimum”.

Ndërhyrja e radhës do të ketë si qëllim heqjen e pllakave dhe materialeve metalike të vendosura për stabilizimin e këmbës së majtë, si dhe rindërtimin e ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL), i cili ishte dëmtuar më herët. Pavarësisht këtij dëmtimi, Vonn kishte vendosur të garonte në Lojërat Olimpike.

Vetë sportistja ka pranuar se e pret me ankth operacionin, por njëkohësisht shpreson që kjo të jetë ndërhyrja e fundit në këtë proces të gjatë.

“Kam qenë nervoze dhe në ankth për këtë moment, por njëkohësisht jam e emocionuar nga shpresa se më në fund mund ta lë gjithçka pas. Ky do të jetë operacioni im i nëntë dhe lutem që të jetë i fundit. Ka ende disa gjëra që mund të ndryshojnë gjatë ndërhyrjes, ndaj duhet të presim për të parë si do të shkojë gjithçka”, shkroi Vonn.

Aksidenti i shkurtit i shkaktoi dëmtime jashtëzakonisht të rënda. Skiatorja pësoi frakturë të hapur dhe dëmtim të rëndë të pllajës tibiale në këmbën e majtë, si dhe frakturë të kyçit të këmbës së djathtë. Gjendja e saj ishte aq serioze sa mjekët u detyruan të kryenin një ndërhyrje urgjente, të njohur si fasciotomi, për të shpëtuar gjymtyrën e majtë.

Megjithëse gjatë muajve të fundit kishte arritur të rikthehej gradualisht në disa aktivitete të përditshme, përfshirë palestrën dhe tenisin, ndërhyrja kirurgjikale ishte e pashmangshme për shkak të shqetësimeve nga materialet metalike dhe nevojës për riparimin e ligamentit.

Vonn ka falënderuar mjekët, fizioterapistët, infermierët dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ajo ka theksuar gjithashtu se prania e familjes dhe miqve pranë saj i jep forcë për të përballuar këtë sfidë.

Ndërkohë, e ardhmja e saj në sportin profesionist mbetet e paqartë. Në një intervistë të dhënë në shtator për “USA Today Sports”, amerikania pranoi se ende nuk ka marrë një vendim për vazhdimin e karrierës.

“Nuk dua ta mbyll derën për rikthimin në gara. Mendoj se duhet të jem në 100 për qind të formës dhe dua të rikthehem në mal përpara se të marr një vendim të tillë”, deklaroi ajo.

Për momentin, prioriteti i Lindsey Vonn është rikuperimi i plotë, ndërsa rikthimi në garat e skive mbetet një mundësi që do të vlerësohet vetëm pasi të ketë kaluar këtë tjetër provë të vështirë.