Një hotel me 58 kate buzë digës së Liqenit Artificial është kandidati për të qenë kulla më e lartë e Tiranës. Kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, prezantoi në panairin Ndërkombëtar të Tiranës, grataçelën, leja e së cilës u miratua nga KKT në qershor të vitit të kaluar.

Sipas lejes, objekti do të ketë 58 kate mbi tokë dhe 6 kate të tjera në tokë. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 32.5 mijë metrash katrorë në krah të kompleksit ekzistues Lake Vieë, që është ndërtuar po nga kjo kompani.

Fotot nga mjediset e ekspozitës tregojnë maketin arkitekturor dhe projektimin vizual të kullës gjigande. Maketi i shfaqur në mjediset e prezantimit tregon një sfilatë dritaresh me forma valore dhe ndriçim të brendshëm në tonet e kaltërt.

Prezantimi i kësaj kulle vjen në një kohë, kur sektori i ndërtimit po shfaq shenjat e një lëkundje dhe kur shumë nga projektet, veçanërisht ato të kullave të larta kanë mbetur thjesht në pdf, pa avancuar në fazën e ndërtimit.
Paralelisht më këtë projekt, Gener 2 ka prezantuar dhe projektin e resortit në Baks Rrjoll. I pagëzuar me emrin Baks Bay, ky resort shkaktoi përplasje të mëdha fizike për disa muaj mes kompanisë dhe banorëve të zonës, të cilët pretendojnë se po u grabitet toka. /Kapital







