Ballina Bota Koreja Veriore ndryshon flamurin e saj për herë të parë në 78...

Koreja Veriore ndryshon flamurin e saj për herë të parë në 78 vjet

38
0

Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un vendosi të ndryshojë përmasat e flamurit kombëtar duke u larguar nga dizajni që vendi kishte përdorur që nga themelimi i tij në vitin 1948, një dizajn i krijuar nën ndikimin e fortë të Bashkimit Sovjetik.

Ky ndryshim konfirmohet nga një amendament në Kushtetutën e Koresë së Veriut, i publikuar në faqen zyrtare shtetërore, Naenara. Sipas Nenit të ri 166, raporti midis lartësisë dhe gjerësisë së flamurit tani është 1:1.65, duke zëvendësuar raportin e mëparshëm 1:2.

Flamuri i ri është dukshëm më i shkurtër se ai i vjetri. Për shembull, nëse flamuri është një metër i lartë, më parë ai kishte një gjerësi prej dy metrash; sipas rregulloreve të reja, gjerësia e tij është 1.65 metra.

Ngjyrat e njohura, e kuqja, e bardha dhe bluja, janë ruajtur, ashtu si edhe ylli i kuq me pesë cepa, i vendosur brenda një rrethi të bardhë.

Sipas portalit të specializuar të lajmeve “NK News”, vijat e bardha që ndajnë fushën qendrore të kuqe nga bordurat blu janë gjithashtu pak më të trasha se më parë.

Vitet e fundit, Kim Jong Un i ka ndryshuar gjithnjë e më shumë simbolet shtetërore për të theksuar drejtimin e tij politik dhe për ta dalluar qeverisjen e tij nga ajo e babait dhe gjyshit të tij.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me Korenë e Jugut. Në vitin 2023, Kim braktisi politikën e kahershme të ribashkimit paqësor midis dy Koreve, duke filluar t’i paraqesë ato si dy shtete të veçanta dhe armiqësore.

Më pas, Koreja e Veriut filloi të hiqte referencat për ribashkimin nga dokumentet zyrtare dhe simbolet shtetërore. Ai gjithashtu ndryshoi himnin kombëtar.

Ndryshimi i flamurit është pjesë e këtij procesi, megjithëse autoritetet e Koresë së Veriut nuk kanë shpjeguar zyrtarisht pse vendosën t’i ndryshojnë përmasat e tij.

Sipas interpretimit zyrtar të Koresë së Veriut, shiriti i gjerë i kuq simbolizon gjakun e atyre që luftuan kundër sundimit kolonial japonez.

Rrethi dhe shiritat e bardhë përfaqësojnë besnikërinë e popullsisë ndaj Partisë së Punëtorëve në pushtet dhe udhëheqësit kombëtar, ndërsa shiritat blu simbolizojnë sovranitetin, paqen, miqësinë dhe unitetin.