Ballina Politika Zbardhet përplasja në Asamblenë e PS, Spiropali kundërshton Ramën: E di nga...

Zbardhet përplasja në Asamblenë e PS, Spiropali kundërshton Ramën: E di nga kush e kam! Majko, Braçe dhe Xhafaj dalin në mbrojtje të saj

37
0

Mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është shoqëruar me përplasje të forta politike brenda mazhorancës. Në qendër të diskutimeve ka qenë Elisa Spiropali, ndaj së cilës kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar përjashtimin nga Partia Socialiste, pas qëndrimeve kritike të shprehura prej saj në javët e fundit.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama ka kërkuar që propozimi për përjashtimin e ish-ministres dhe ish-kryetares së Kuvendit të hidhej në votim në Asamble. Kërkesa ka sjellë një debat të drejtpërdrejtë mes kryeministrit dhe Spiropalit, e cila ka kundërshtuar qëndrimin e tij.

Gjatë përplasjes Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalët: “Nuk mund t’i gjuash shtëpisë tënde me gurë”. Kjo deklaratë mësohet të jetë bërë në përgjigje të kritikave të saj ndaj drejtimit të Partisë Socialiste dhe kërkesave për demokratizimin e strukturave të saj, që kanë përfshirë edhe qëndrime kritike ndaj vetë Edi Ramës. Por Spiropali nuk ka qenë e vetmja figurë në shënjestrën e kryesocialistit. Rama ka kërkuar gjithashtu përjashtimin e Plarent Ndrecës, ish-deputet i PS-së dhe aktualisht avokat i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Pas kërkesës së Ramës për përjashtimin e saj nga PS-ja, ish-ministrja dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar me tone të forta para socialistëve, duke kundërshtuar akuzat dhe duke deklaruar se me veprimet e saj nuk ka turpëruar Partinë Socialiste.

Në fjalën e saj përpara anëtarëve të Asamblesë, Spiropali mësohet të ketë deklaruar se brenda Partisë Socialiste ka persona që kanë abuzuar me pushtetin, duke lënë të kuptohet se kritikat e saj nuk mund të konsiderohen si një akt kundër partisë.

“Me veprimet e mia nuk e kam turpëruar Partinë Socialiste. Ndër ne ka që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, më quani flamingo”, mësohet të jetë shprehur Spiropali. Më herët Rama i ishte drejtuar asaj me fjalët: “Nuk mund t’i gjuash shtëpisë tënde me gurë”, duke kundërshtuar qëndrimet e saj kritike ndaj drejtimit të PS-së.

Spiropali, nga ana e saj, nuk është tërhequr nga qëndrimi i mbajtur, duke refuzuar të pranojë se ka dëmtuar imazhin e forcës politike ku bën pjesë. Pavarësisht kërkesës së Ramës për përjashtimin e saj, propozimi nuk u hodh në votim në Asamble. Kështu, Spiropali vijon të jetë anëtare e Partisë Socialiste, ndërsa përplasja e fundit ka nxjerrë në pah tensionet mes saj dhe kryesocialistit.

Megjithatë, pavarësisht kërkesës së kryeministrit, Asambleja Kombëtare nuk i ka kaluar për votim propozimet për përjashtimin e dy emrave. Për rrjedhojë, as Spiropali dhe as Ndreca nuk janë përjashtuar nga Partia Socialiste dhe vijojnë të jenë pjesë e saj.

Këtë e konfirmoi edhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili pas përfundimit të mbledhjes deklaroi se Elisa Spiropali është ende anëtare e Partisë Socialiste. Kërkesa e Ramës për përjashtimin e dy emrave është përballur gjithashtu me kundërshtime nga figura të rëndësishme të Partisë Socialiste. Fatmir Xhafaj mësohet të ketë shprehur rezerva ndaj përjashtimit të Spiropalit, duke propozuar një masë më të lehtë.

Edhe deputeti Erion Braçe mësohet të ketë kundërshtuar propozimin e kryesocialistit, duke u shprehur se “PS nuk është parti që përjashton anëtarët e saj”. Kështu, kërkesa e Edi Ramës për largimin e Spiropalit dhe Ndrecës nuk u shndërrua në një vendim të Asamblesë. Megjithatë, përplasja e drejtpërdrejtë dhe fjalët që kryeministri mësohet t’i ketë drejtuar ish-kryetares së Kuvendit tregojnë për tensionet që kanë shoqëruar diskutimet brenda partisë.