Ballina Aktualitet Dyshohet se financoi trafikimin e 485 kg kokainë/ U ekstradua nga Spanja,...

Dyshohet se financoi trafikimin e 485 kg kokainë/ U ekstradua nga Spanja, GJKKO lë në burg Kevin Markgjonin!

34
0

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Kevin Markgjonin, i njohur edhe me identitetin Arjan Margjoni, i dyshuar si financues i trafikimit të 485 kilogramëve kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Siç raportohet seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj tij përfundoi këtë të mërkurë, me vendimin e gjykatës për ta lënë të pandryshuar masën.

overlay-cleverMarkgjoni u arrestua në Spanjë dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë, pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre spanjolle.

Në mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme kishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar ndaj tij, pasi hetimet e SPAK zbuluan dyshime për përfshirjen e tij në financimin e trafikimit të 485 kilogramëve kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë, në nëntor të vitit 2022.

Hetimet për këtë çështje vijuan edhe pas dënimit, dy vite më parë, të 10 anëtarëve të grupit kriminal me 89 vite burg në total.

Në mars të vitit 2026, në kuadër të hetimeve të mëtejshme, u arrestuan edhe tre persona të tjerë, ndërsa Kevin Markgjoni u shpall në kërkim ndërkombëtar, deri në lokalizimin dhe arrestimin e tij në Spanjë.

Droga u zbulua e fshehur në pleh kimik, në oborrin e banesës së ish-kryekomunarit Viktor Çervanaku, në Frakull të Madhe të Fierit. Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe agjencisë amerikane DEA.

Sipas dosjes hetimore, kokaina ishte siguruar në Kolumbi dhe ishte kamufluar në një ngarkesë me pleh kimik, duke kaluar transit përmes portit të Pireut në Greqi dhe më pas portit të Tivarit në Mal të Zi, me destinacion përfundimtar Shqipërinë.

Në vendin tonë, droga do t’i nënshtrohej procesit të përpunimit me ndihmën e kimistëve kolumbianë, përpara se të shpërndahej në tregun europian.