Aktori Ashton Kutcher është në rrugën drejt statusit të miliarderit, pasi vendosi të mos dëgjonte këshillën e bashkëshortes dhe investoi pasurinë e tij në kompanitë e teknologjisë.
Sipas Newsweek, firma e tij e investimeve, Sound Ventures, ku aktori 48-vjeçar është bashkëthemelues, investoi 435 milionë dollarë në kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic, në vitin 2023. Sot, vlera e këtij investimi ka arritur në 7 miliardë dollarë.
Kutcher bashkëthemeloi Sound Ventures në vitin 2015 dhe që atëherë ka investuar në disa kompani që rezultuan shumë të suksesshme. Më herët, përmes firmës së tij të investimeve A-Grade Investments, të cilën e themeloi në vitin 2010, ai kishte investuar edhe në Spotify, Uber dhe Airbnb.
Sipas Bloomberg, Sound Ventures zotëron 0.5 për qind të Anthropic, kompania e së cilës vlerësohet të arrijë një kapital prej 1.4 trilionë dollarësh në ofertën publike fillestare (IPO). Anthropic doli në bursë të enjten, më 19 nëntor.
Kutcher është tërhequr nga pozicioni i partnerit në Sound Ventures, por vijon të jetë pjesë e kompanisë si këshilltar i lartë.
Megjithëse investimet e tij kanë rezultuar të suksesshme, bashkëshortja e tij, aktorja Mila Kunis, nuk ka qenë gjithmonë dakord me zgjedhjet e tij në biznes.
Gjatë një interviste në emisionin “The Late Show with Stephen Colbert”, në vitin 2021, Kunis tregoi se si Kutcher i kishte folur për herë të parë për investimin në Uber, në fillimet e lidhjes së tyre.
“Një nga gjërat që më tha ishte: ‘Hej, është një kompani e re, diçka si shërbimi i transportit me makina’. Më shpjegoi se ishte si një kompani taksish, por ku çdokush mund të bëhej shofer. Unë i thashë: ‘Kjo është ideja më e keqe që kam dëgjuar ndonjëherë'”, rrëfeu ajo.
Kutcher vendosi ta bindte bashkëshorten duke i propozuar që ta provonte vetë shërbimin, por kjo e zemëroi edhe më shumë Kunis.
“Ai më tha: ‘Po të porosis një Uber, që ta provosh’. Ndërsa unë reagova: ‘Ti do të më fusësh në një makinë me një të panjohur? Çfarë nuk shkon me ty?’ Isha vërtet e tërbuar me të”, tregoi aktorja.
Më vonë, Kutcher e këshilloi të investonin edhe në Bitcoin. Ai i kishte thënë se donte t’i shpjegonte një ide dhe të dinte nëse po çmendej, përpara se t’i fliste për kriptomonedhat dhe procesin e krijimit të tyre përmes minimit.
“Unë e pyeta: ‘Po kush do të garantojë që është e sigurt?’ Ai m’u përgjigj: ‘Pikërisht kjo është çështja’. Ai nuk më dëgjoi… Kjo ndodh gjatë gjithë kohës”, tregoi Kunis.
Në një intervistë për Business Insider, në prill të vitit 2017, Kutcher pranoi se fillimisht e kishte refuzuar mundësinë për të investuar në Uber, kur ishte kontaktuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë. Megjithatë, më pas kuptoi se biznesi kishte potencial dhe se ekzistonte një kërkesë reale në treg. Për këtë arsye, e telefonoi menjëherë drejtuesin e kompanisë.
Aktori pranoi se kishte pasur dyshime të ngjashme edhe për Airbnb. Reagimi i tij i parë kishte qenë: “Kush do të dëshironte që një i panjohur të flinte në divanin e shtëpisë së tij?”
Sipas Kutcher, shumë prej kompanive të mëdha lindin pikërisht nga ide që në fillim duken kundër intuitës së zakonshme.
“Shpesh, themeli i kompanive të mëdha ndërtohet mbi ide që bien ndesh me atë që njerëzit besojnë se është e logjikshme. Themeluesit kanë të dhëna që tregojnë se perceptimi i përgjithshëm për një sektor është i gabuar. Kur arrin të provosh se një bindje e tillë është e gabuar, zbulon mundësi të mëdha në një fushë ku askush tjetër nuk ka menduar të investojë”, shpjegoi ai.
Gjatë së njëjtës intervistë me Stephen Colbert, Kunis tha se nuk është e pazakontë që bashkëshorti t’i propozojë ide që asaj i duken absurde, por që në fund rezultojnë të suksesshme.
“Ka vazhdimisht kompani për të cilat ai më flet dhe që mua më duken krejtësisht absurde. Pse do të dëshiroja të flija në divanin e dikujt tjetër dhe madje të paguaja për këtë? Por ja ku jemi sot. Unë përdor Airbnb për gjithçka, udhëtoj me Uber kudo dhe përdor kriptomonedha. Prandaj, nuk kam qenë kurrë më e lumtur që kam gabuar”, tha ajo.
Kutcher dhe Kunis u njohën për herë të parë gjatë xhirimeve të serialit “That ’70s Show”. Në atë kohë, ai ishte 20 vjeç, ndërsa ajo vetëm 14. Edhe pse në serial interpretonin një çift të dashuruarish, miqësia e tyre në jetën reale nuk u shndërrua në një marrëdhënie romantike gjatë asaj periudhe.
Ata nisën lidhjen në prill të vitit 2012, pasi u ritakuan në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globe, në janar të po atij viti.
Kutcher kishte qenë më parë i martuar me aktoren Demi Moore, nga viti 2005 deri në vitin 2011, ndërsa Kunis kishte pasur një lidhje të gjatë me aktorin Macaulay Culkin, nga viti 2002 deri në vitin 2011.
“Personat që ishim atëherë nuk do të kishin qenë kurrë bashkë. Por është për të ardhur keq që humbëm 20 vite që mund t’i kishim kaluar së bashku. Kur e mendoj tani, them se mund të kishim kaluar 20 vite krah njëri-tjetrit”, tha Kunis në podcastin “WTF with Marc Maron“, në korrik të vitit 2018.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk do të ishin bashkuar kurrë nëse të dy nuk do të kishin kaluar përvojat që i formësuan si njerëz përpara se të ritakoheshin.
Çifti u fejua në shkurt të vitit 2014 dhe u martua në korrik të vitit 2015. Gjatë martesës së tyre, ata janë bërë prindër të dy fëmijëve, Wyatt, 12 vjeç, dhe Dimitri, 9 vjeç.
Në janar të vitit 2023, në një intervistë për Esquire, Kutcher tha se besonte se marrëdhënia me Kunis ishte zhvilluar më shpejt edhe për shkak se ai e kishte admiruar gjithmonë atë.
“Talentin, aftësitë dhe dhuntitë e saj. Por e dija se ajo nuk kishte nevojë për mua. Dhe ajo e dinte se unë nuk kisha nevojë për të”, u shpreh aktori.







