Këngëtarja e njohur amerikane Miley Cyrus i ka dhënë fund beqarisë, duke kurorëzuar dashurinë me bateristin Maxx Morando në një ceremoni intime, të zhvilluar të shtunën, më 21 nëntor, në Palm Springs të Kalifornisë.
Dasma u zhvillua në një rreth të ngushtë familjarësh, miqsh dhe të afërm, larg ceremonive madhështore dhe vëmendjes së tepërt mediatike. Fotot e publikuara nga ceremonia tregojnë çiftin pranë një pishine, të ulur nën një hark të zbukuruar me lule të bardha, në një atmosferë romantike.
Sipas Entertainment Tonight, që raportoi i pari lajmin, mes të ftuarve ishin nëna e këngëtares, Tish Cyrus, motra e saj e vogël Noah dhe babai Billy Ray Cyrus, me të cilin Miley ka pasur një marrëdhënie të tensionuar dhe një periudhë të gjatë largësie.
Për ditën e saj të veçantë, Miley, 33 vjeçe, zgjodhi një fustan nusërie elegant dhe minimalist, me shpinë të hapur, ndërsa flokët i kishte mbledhur në një topuz të lartë. Dhëndri, 28-vjeçar, u shfaq me një kostum klasik të zi dhe këmishë të bardhë.
Momentet më emocionuese të ceremonisë u regjistruan gjatë betimeve të martesës. Në videot e publikuara, Miley duket e përlotur ndërsa Maxx lexon fjalët e tij, duke fshirë lotët dhe duke u përpjekur të përmbajë emocionet.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe unaza e fejesës së këngëtares, e dizenjuar nga Jacquie Aiche. Ajo përmban një diamant të prerë në formë jastëku, me peshë rreth katër karat, të vendosur në ar 14-karatësh.
Pas ceremonisë, çifti organizoi një pritje në të njëjtin vend, rezidencën e njohur Twin Palms, e projektuar në vitin 1947 nga arkitekti E. Stewart Williams. Ambienti u shndërrua në një hapësirë përrallore për festën e të sapomartuarve.
Një ditë para dasmës, Miley dhe Maxx kishin organizuar gjithashtu një darkë për familjarët dhe miqtë e tyre. Motra e këngëtares, Lily-Rose Purcell, ndau disa fotografi në Instagram Stories, ku zbuloi detaje nga menuja dhe dekorimi i mbrëmjes.
Miley Cyrus dhe Maxx Morando u njohën në një takim të organizuar në mënyrë diskrete, ndërsa lidhjen e tyre e bënë publike në vitin 2021. Pas disa vitesh së bashku, çifti u fejua në vitin 2025, duke kurorëzuar tashmë historinë e tyre të dashurisë me martesë.







