Ballina Bota Stuhi shkatërruese në Brazil/ Bilanci tragjik: 5 të vdekur, 265 të plagosur...

Stuhi shkatërruese në Brazil/ Bilanci tragjik: 5 të vdekur, 265 të plagosur dhe mijëra banesa të dëmtuara

30
0

Një stuhi e fuqishme ka goditur qytetin Tupanciretã, në jug të Brazilit, duke shkaktuar të paktën 5 viktima dhe 265 të plagosur. Forca e erës, që arriti shpejtësinë deri në 114 kilometra në orë, shkaktoi dëme të mëdha materiale, ndërsa mijëra banorë u detyruan të braktisin banesat e tyre.

Stuhia goditi gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës këtë qytet me rreth 20 mijë banorë, në shtetin Rio Grande do Sul. Sipas autoriteteve lokale, nga 8.600 banesa që ka qyteti, rreth 8.000 pësuan dëmtime të konsiderueshme.

overlay-clever

Brenda më pak se një ore, erërat e forta shkulën çatitë e shtëpive, shembën mure, rrëzuan pemë dhe shtylla elektrike, duke lënë zona të tëra pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

Pothuajse të gjithë banorët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut dhe dëmeve të shkaktuara. Sipas Mbrojtjes Civile të shtetit Rio Grande do Sul, rreth 40 persona u strehuan përkohësisht në qendrat publike të emergjencës.

Qeveria federale e Brazilit shpalli zonën në gjendje fatkeqësie, duke u mundësuar institucioneve shtetërore të mobilizojnë fondet dhe burimet e nevojshme për të ndihmuar banorët e prekur.

Ndërkohë, rreth 200 ushtarakë janë angazhuar në terren për largimin e rrënojave dhe pastrimin e rrugëve. Një ekip mjekësor është dërguar gjithashtu për të vlerësuar situatën e sistemit shëndetësor lokal, pasi edhe spitali i qytetit ka pësuar dëmtime nga stuhia.

Dyshime për formimin e një tornadoje

Mbrojtja Civile e përshkroi fenomenin si një stuhi të tipit “superqelizore” (supercell), një formacion meteorologjik veçanërisht i fuqishëm, i cili shpesh shoqërohet me kushte të favorshme për formimin e tornadove.

Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që pas stuhisë të jetë formuar edhe një tornado.

Brazili regjistroi gjatë vitit 2025 një rekord prej 92 tornadosh dhe fenomenesh të ngjashme, sipas Prevots, një rrjeti meteorologësh vullnetarë të lidhur me universitete dhe institute kërkimore.