Ballina Sport Debutim makthi për Pochettinon, Liverpooli e ndëshkon me 4 gola, ‘Djajtë e...

Debutim makthi për Pochettinon, Liverpooli e ndëshkon me 4 gola, ‘Djajtë e Kuq’ me 10 lojtarë nga minuta 8′

43
0

Nis në mënyrën më të keqe aventura e Mauricio Pochettinos në stolin e Manchester United. Në transfertën e vështirë në “Anfield”, përballë Liverpoolit, “Djajtë e Kuq” kanë përjetuar një fillim makthi, duke pësuar dy gola brenda 13 minutave dhe duke mbetur me një lojtar më pak. Në fund e mbyllën ndeshjen me rezultatin e thellë 4-0.

Problemet për Pochettinon nisën që në minutën e 8-të, kur Leny Yoro u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të parregullt, duke lënë skuadrën e tij në inferioritet numerik.

Liverpooli përfitoi menjëherë dhe në minutën e 10-të kaloi në avantazh. Dominik Szoboszlai ekzekutoi në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi nga jashtë zonës, duke dërguar topin në cepin e majtë të portës dhe duke mposhtur portierin kundërshtar.

Vetëm tre minuta më vonë erdhi edhe goditja e dytë për Manchester United. Rio Ngumoha shërbeu një asist të shkëlqyer për Florian Wirtz, i cili me një goditje fantastike fluturimthi brenda zonës dërgoi topin në rrjetë, pasi ai preku fillimisht pjesën e poshtme të traversës.

Pas vetëm 13 minutash lojë, Liverpooli kryeson 2-0, ndërsa Manchester United duhet të përballojë pjesën tjetër të takimit me dhjetë lojtarë.

Një nisje që askush në kampin e “Djajve të Kuq” nuk do ta kishte dëshiruar për trajnerin e ri, i cili përballet që në debutim me një sfidë jashtëzakonisht të vështirë.

Dominimi i Liverpoolit vijoi edhe në pjesën e dytë: në minutën e 66-të, talenti Rio Ngumoha shënon nga afër, duke e dërguar lehtësisht topin në rrjetë dhe duke çuar rezultatin në 3-0. Asisti ishte i Bradley Barcola-së.

Në të 82-tën, Victor Munoz demonstron aftësitë e tij të shkëlqyera, duke goditur fluturimthi topin brenda zonës dhe duke e dërguar në cepin e majtë të portës. Asisti erdhi nga Florian Wirtz, ndërsa rezultati shkon në 4-0.