Ballina Bota Skandal spiunazhi në Nvidia, biznesmenja kineze dyshohet për lidhje me inteligjencën e...

Skandal spiunazhi në Nvidia, biznesmenja kineze dyshohet për lidhje me inteligjencën e Pekinit

37
0

Një çështje që ndërthur dyshimet për spiunazh, marrëdhëniet personale dhe interesat strategjike të teknologjisë amerikane ka vënë në qendër të vëmendjes gjigantin Nvidia

Sipas një investigimi të The New York Times, biznesmenja kineze Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, dyshohet se ka mbajtur kontakte për më shumë se një vit me një zyrtar të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës, agjencia kryesore e inteligjencës së vendit. Raporti pretendon se kontaktet kanë zgjatur nga pranvera e vitit 2025 deri në vjeshtën e vitit 2026. Në të njëjtën periudhë, Huang kishte edhe një marrëdhënie personale me Jensen Huang, drejtuesin e Nvidia-s.

Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë arritur në përfundimin se biznesmenja ka vepruar si spiune për Kinën. Hetimet për këtë çështje vijojnë. Vëmendja e autoriteteve amerikane ndaj Alice Huang lidhet edhe me aktivitetin e saj në krye të kompanisë Megaspeed International, me seli në Singapor, e cila kishte kryer blerje pajisjesh Nvidia me vlerë miliarda dollarë. Që prej vitit 2024, autoritetet amerikane po shqyrtojnë dyshimet se kjo kompani mund të jetë përdorur për të transferuar në Kinë procesorë të avancuar të inteligjencës artificiale, duke anashkaluar kufizimet e eksportit të vendosura nga Uashingtoni.

Megaspeed ka deklaruar se Alice Huang u largua nga kompania në gusht 2025, ndërsa vetë biznesmenja ka mohuar çdo shkelje.

Çështja ka shkaktuar reagime edhe në qarqet politike amerikane. Senatori republikan John Kennedy, gjatë një interviste për NBC, komentoi me ironi marrëdhënien personale të Jensen Huang. Duke iu referuar Helenës së Trojës, ai deklaroi se kjo ishte “marrëdhënia më e shtrenjtë që nga Helena e Trojës”, duke nënvizuar përmasat e pasojave që ka marrë çështja. Ndërkohë, përfaqësuesit e Nvidia-s dhe të ambasadës kineze në Uashington nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me raportimet. Vetë Alice Huang nuk ka qenë e arritshme për koment, sipas Reuters.