Ballina Kosovë Apeli lë në fuqi dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt

Apeli lë në fuqi dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt

32
0

Gjykata e Apelit e Kosovës la në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.

Vendimi i marrë më 23 nëntor vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 21 prillit 2026, me të cilin të tre të akuzuarit ishin shpallur fajtorë.

Kolegji i Gjykatës së Apelit përbëhej nga gjyqtarët: Mentor Hajra, kryetar, Xhevdet Abazi, gjyqtar raportues, dhe Arben Hoti, anëtar.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në një rast që fillimisht ishte paraqitur si grabitje, por që, sipas gjetjeve të Gjykatës Themelore, ishte planifikuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Naim Murseli kishte organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara martesore dhe dëshirës për hakmarrje.

Gjykata kishte konstatuar se ai synonte edhe përfitim financiar nga një policë e sigurimit të jetës në emër të viktimës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin marrë vesh paraprakisht për kryerjen e vrasjes, ndërsa Murseli i kishte premtuar Plavës 30 mijë euro për ta kryer atë.

Prokuroria kishte pretenduar, gjithashtu, se Murseli e kishte siguruar armën e përdorur në vrasje duke e blerë për 280 euro nga Tom Dodaj.

Dodaj, i cili kishte pranuar fajësinë për shitjen e armës, ishte dënuar fillimisht me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Apelit ia kishte ulur dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.

Aktakuza u ngrit më 15 janar 2025, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli aktgjykimin më 21 prill 2026.